Fetarët ankohen tek SHBA

Përfaqësuesit e tre besimeve në qytetin e Shkodrës kërkuan dje ndihmën e kryediplomatit të SHBA-ve në vendin tonë, për kthimin e pronave të dikurshme. Ambasada amerikane financon projektin e Medresesë
SHKODËR - Komunitetet fetare në Shkodër i ankohen ambasadorit amerikan në Tiranë, në lidhje me problemin e shtetit shqiptar që ka të bëjë me pronat e këtyre komuniteteve.
Rikthimi i plotë i pronave të komuniteteve fetare në Shkodër ka qenë në qendër të takimeve që ambasadori amerikan, Xhon Uidhërs II, bëri dje me drejtuesit e këtyre komuniteteve në Shkodër. Myslimanët, katolikët dhe ortodoksët kanë qenë të pakënaqur me kthimin e pronave. Ambasadori amerikan në Tiranë, Uidhërs II, vizitoi Shkodrën, duke shënuar kështu vizitën e tij të parë në qytetin verior. Axhenda e ngjeshur e ambasadorit, ka bërë që takimet të jenë të shumta dhe të shkurtra. Janë organizuar takime në Arqipeshkëvinë e Shkodrës, në Myftinë dhe në Kishën Ortodokse në medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, takime në bashki, prefekturë etj. Fillimisht, Uidhërs II ka zhvilluar një takim në katedralen e “Shën-Shtjefnit”, ku është pritur nga famullitari i Shkodrës, Dom Gjovalin Sukaj, si dhe përfaqësues të klerit katolik. Në këtë takim, ambasadori amerikan ka vizituar nga afër dhe katedralen e qytetit të Shkodrës, ku është njohur dhe me historinë e kësaj kishe, e cila ka pësuar herë pas here ndryshime si pasojë e regjimit komunist. Ambasadori Uidhërs më pas është takuar dhe me përfaqësues të komunitetit mysliman, ku është pritur nga myftiu i Shkodrës, Ndriçim Sulejmani dhe ka vizituar edhe xhaminë e re të Parrucës. Ndërkohë, Uidhërs ka zhvilluar edhe një takim në katedralen autoqefale ortodokse në qytetin e Shkodrës, ku është takuar edhe me drejtuesit e kësaj kishe, At Aleksandër Petani, kryetar i Komunitetit Ortodoks dhe At Nikolla Petani, përgjegjës i Kishës Katolike. Ndalesa më e gjatë në axhendën e ambasadorit Uidhërs II, ishte në kinema “Milenium”, ku ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, në të cilën u prezantua projekti qytetar, i përgatitur nga vetë nxënësit e medresesë dhe i financuar nga ambasada amerikane. “Kushdo që vjen në Shkodër, nuk e sjell tolerancën fetare, por atë e gjen në mesin e tuaj”, - ka qenë kjo deklarata që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ia ka atribuuar tolerancës fetare që ekziston në qytetin e Shkodrës, duke cituar thënien e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, por e thënë kësaj here në kuptimin e tolerancën fetare. Ambasadori amerikan në fjalën e tij, nënvizoi se në Shkodër dhe në Shqipëri janë vetë njerëzit, ata të cilët e kuptojnë më së miri vlerën e tolerancës fetare, ndërkohë që një shembull të tillë duhet ta ndjekin edhe vende të tjera të botës, ku mungon respekti për besimet fetare”, - u shpreh Uidhërs. Pjesë e vizitës së ambasadorit amerikan kanë qenë edhe takimet me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka dhe prefektin e qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu. Në këto takime, nga ana e ambasadorit amerikan u ofruan ndihmë për të financuar projekte të ndryshme në fushën ekonomike, të infrastrukturës, të monumenteve historike e të kulturës, si dhe në kuadër të projekteve për decentralizim.