Raporti i DASH: Shqiperia ka deshtuar

TIRANË - Nëse deri para pak kohësh Shqipëria shërbente kryesisht si vend tranziti për trafikimin e femrave të huaja si prostituta drejt vendeve perëndimore, tashmë janë femrat shqiptare, ato që trafikohen për qëllime përfitimi në shtetet fqinjë e më gjerë. Përveçse ka një rritje të “prodhimit vendas” të prostitutave, një fakt tjetër tronditës është mosha e trafikimit të këtyre femrave, që në përqindjen më të madhe të rasteve janë minorene, nën moshën 18 vjeçe. Dhe sikur këto dy konstatime “të zeza” të mos mjaftonin në raportin e djeshëm të dalë nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi ynë renditet mes vendeve ku është rritur edhe trafikimi për qëllime pune të detyruar të femrave dhe fëmijëve. “Afro gjysma e të gjitha viktimave shqiptare të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç. Trafikimi i brendshëm për seks i femrave dhe fëmijëve është në rritje”, thuhet në këtë raport. Shqipëria për sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore hyn në grupin e dytë, sipas ndarjes që bëhet nga ky departament, duke u përcaktuar si vend që, edhe pse nuk përmbush plotësisht standardet minimale, bën përpjekje domethënëse për t’i përmbushur këto standarde minimale. “Shqipëria është një vend burimi për gra dhe vajza të trafikuara për qëllime të shfrytëzimit seksual, për përfitim dhe punë të detyruar. Ajo nuk konsiderohet më si një vend kryesor tranziti. Viktimat shqiptare trafikohen në Greqi, Itali, Maqedoni dhe Kosovë, dhe shumë prej këtyre trafikohen më tej, për në vende të Evropës Perëndimore, si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Belgjika, Norvegjia, Gjermania dhe Holanda. Fëmijë u trafikuan gjithashtu në Greqi, për të lypur dhe forma të tjera të punës së tyre”. Shqipëria ka një numër domethënës viktimash të trafikimit. Ndër etapat e parandalimit, si pjesë e rëndësishme është ndjekja penale. Sipas raportit të departamentit të SHBA-ve, thuhet se “qeveria e Shqipërisë nuk paraqiti fakte bindëse për përparim në përpjekjet për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit 2007. Shqipëria e ndalon penalisht trafikimin e seksit dhe punës nëpërmjet Kodit Penal, i cili parashikon ndëshkime nga 5 në 15 vjet burgim. Këto dënime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe më të rënda se ato që parashikohen për përdhunimin. Gjatë vitit 2007, Shqipëria ndoqi penalisht 49 trafikantë të dyshuar dhe dënoi 7 të akuzuar për trafikim njerëzor. Shtatë nga ndjekjet penale ishin për trafikim të punës së fëmijëve”. Ndërsa në lidhje me masat e marra, theksohet se “aftësia e qeverisë shqiptare për të financuar shërbimet e mbrojtjes dhe ndihmëse ishte e kufizuar, megjithatë ajo administronte një strehë kujdesi për viktimat në Tiranë”. Po në të njëjtin raport të DASH-it, përmendet se, nëse sipas statistikave zyrtare të qeverisë rezulton se në vitin 2007 qeveria identifikoi vetëm 13 gra dhe 7 fëmijë si viktima të trafikimit, sipas raportimit të organizmave të ndryshme jofitimprurëse, rezulton se ka 146 viktima të trafikimit gjatë vitit. Ndërsa një pikë tjetër “e errët” e raportit, është se viktimat fëmijë, shumë prej të cilëve u trafikuan nga prindërit e tyre, më shpesh iu kthyen prindërve të tyre, sesa u vendosën nën mbrojtje.