E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Jo presionit

Edi Rama theksoi dje më vendosmëri rolin e PS-së, për të mos lejuar shmangien e zbardhjes së të vërtetës së tragjedisë së Gërdecit

Edi Rama theksoi dje më vendosmëri rolin e PS-së, për të mos lejuar shmangien e zbardhjes së të vërtetës së tragjedisë së Gërdecit. “Ne kemi refuzuar vijimësisë që t’i bëjmë mish për topat e politikës së ditës viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit. Por këtë e kemi bërë për të mos i kushtëzuar organet e drejtësisë, dhe jo për të lejuar që forcat qeveritare t’i bëjnë presion Prokurorisë së Republikës”, - deklaroi dje kreu i PS-së. Ai theksoi se socialistët nuk do të lejojnë që forcat qeveritare të përfitojnë nga politika e PS-së, të ndarjes së qartë të pushteteve mes politikës dhe drejtësisë, për të mos u përsëritur historia e së shkuarës, të presioneve antikushtetues mbi Prokurorinë e Republikës. “Ta harrojnë Sali Berisha, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu dhe të gjitha forcat qeveritare se, pasi hodhën në erë njerëzit e pafajshëm në Gërdec, me papërgjegjshmërinë, paaftësinë e korrupsionin që ka kapur në fyt shtetin e tyre, do të hedhin në erë edhe hetimet për zbardhjen deri në fund të një të vërtete, pa të cilën s'ka Shqipëri demokratike e evropiane”, - deklaroi kreu i PS-së. Edi Rama sqaroi se socialistët janë munduar të japin një shembull të ri në politikën shqiptare, duke mos e trajtuar tragjedinë e Gërdecit si një rast për të nxjerrë përfitime politike. Partia më e madhe e opozitës sipas tij, është munduar ta trajtojë këtë çështje si një krim shtetëror që duhet të zbardhet deri në fund, përmes rrugës kushtetuese. Ai nënvizoi se, pavarësisht mënyrës së re të sjelljes nën frymën e politikës së re, socialistët nuk do të lejojnë që, pikërisht ata që shkaktuan Gërdecin, të fajësojnë Prokurorinë e Përgjithshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›