Topalli nuk shkarkohet

Partia Demokratike dhe aleatët në pushtet që prej 3 korrikut 2005 po goditen për të tretën herë në autoritetin e tyre moral dhe politik të shumicës së Kuvendit, me mocionin e tretë që po përgatitet për kryetaren Jozefina Topalli. Por, për Astrit Patozin, kryetar i ligjvënësve të Partisë Demokratike, çdo gjë është e qartë dhe mocioni do të ketë fatin e dy të mëparshmëve.
Mazhoranca shprehet e sigurt kështu se mocioni ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli nuk do të sjellë ndonjë pasojë politike për të. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, deklaron për “Korrierin”, se opozita po heziton për zyrtarizimin e nismës, ndërsa mazhoranca ndjehet e sigurt dhe e bashkuar përballë kësaj kërkese të opozitës. “Ne nuk e kemi në dorë nismën e opozitës. Nuk e kanë çuar deri në fund dhe, mesa duket, po hezitojnë. Kjo është çështja e tyre dhe ne kemi të drejtë të mbajmë një qëndrim, pasi nisma e Partisë Socialiste të bëhet zyrtare”, deklaron Patozi. I pyetur nëse do të kërkojnë votim të fshehtë apo të hapur në rast se mocioni paraqitet në Kuvend, Patozi thotë se kjo nuk është e rëndësishme, pasi edhe ky mocion ndaj kryekuvendares Topalli do të ketë “fatin” e dy mocioneve paraardhës. Deputeti demokrat Patozi lë të kuptohet se mazhoranca është e sigurt që kjo nismë nuk do të funksionojë edhe kësaj radhe. “E rëndësishme është se mocioni nuk do të ketë asnjë pasojë apo rrjedhojë politike. Të tjerat nuk kanë asnjë lloj rëndësie. Ai do të pësojë fatin e të gjithë mocioneve të tjerë”, thekson Patozi. Ai thekson gjithashtu, se edhe në këtë rast mazhoranca nuk do të rrezikojë ndonjë përçarje. Në rast se mocioni paraqitet zyrtarisht në Kuvend, një debat i rëndësishëm do të ishte edhe mënyra e votimit të tij. Në rast se mocioni votohet në mënyrë të fshehtë, atëherë përçarja mund të lindte mes grupeve, të njohur si mbështetës të presidentit Topi dhe të kryetares së Kuvendit, Topallit. Ndërkohë, opozita nga ana e saj deklaroi para dy ditësh se ka ngritur një grup ekspertësh për të shqyrtuar vendimin e kryeparlamentares Topalli, për shqyrtimin e dekreteve të presidentit Topi dhe për hartimin e mocionit për shkarkimin e saj. Vendimi i kryeparlamentares për shqyrtimin e dekreteve të presidentit Topi duket se po gjen mbështetjen politike të mazhorancës, e cila ka dalë hapur pro vendimit të saj. Edhe vetë kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar me dyer të mbyllura, e ka cilësuar mocionin ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli si një mocion ndaj qeverisë, duke treguar kështu edhe mbështetjen që mund të marrë Topalli në Parlament në rast të një mocioni zyrtar. Ndërkohë, gjatë këtyre tre viteve që Topalli është kryetare Parlamenti, opozita ka iniciuar dy mocione shkarkimi për të, të cilat nuk e kanë arritur asnjëherë qëllimin.