E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti privatizon kishen

Banorët e fshatit Bubullime denoncojnë drejtuesit e kishës për përfitime monetare. Në hyrje të saj janë afishuar tarifat e shërbimeve që ofrohen, që nga martesat e deri tek ceremonitë e funeraleve

LUSHNJË - Përveçse rritjes së çmimeve në rang vendi, banorët e fshatit Bubullimë në Lushnjë po vuajnë tani edhe “privatizimin” e kishës, e cila ka disa muaj që ka afishuar në hyrje të saj tarifat përkatëse për shërbimet funerale, kurorëzimet etj. Prifti i kishës së fshatit që numëron rreth 3 mijë banorë, Gori Ndreka, sqaron në lidhje me pakënaqësitë e fshatarëve, se “përdor licencën e një personi që quhet Jovan Pupi për këto shërbime, pasi komuna në fakt nuk e ofron shërbimin funeral”. Në afishë sqarohet se pagëzimi kushton 2 mijë lekë, kurora 3 mijë, varrimi 2 mijë etj., ndaj sipas fshatarëve, “një person duhet ta mendojë edhe këtë fakt para se të martohet apo të mbyllë sytë për në botën tjetër. Unë kam menduar se i ndihmoj banorët duke u ofruar këtë shërbim dhe nuk shoh përfitim në këtë mes”, thotë Gori Ndreka, kreu i kishës së “Shën Mikaelit”, e ndërtuar në vitin 1875. Ndërkohë, banorët e fshatit shprehen të pakënaqur në lidhje me taktikën përfituese që po ndjekin prej disa muajsh drejtuesit e kishës së fshatit të tyre. Pas viteve ‘90, në territorin e kishës ndodhen edhe varrezat e fshatit për banorët e besimit ortodoks, ndërsa banorët e besimit mysliman varrosen në një varrezë tjetër.

Makina e priftit shoqëron të vdekurit

Banorët e Bubullimës nuk e quajnë normal afishimin e tarifave, ndërsa shprehen se asnjëherë nuk e lënë “duarbosh” priftin e tyre. Sipas tyre, prifti Gori Ndreka shfrytëzon faktin që komuna e fshatit nuk ka shërbime funerale. “Prifti përdor makinën e tij për funerale, si dhe licencën e dikujt tjetër”, thonë ata. Prej pesë muajsh, në derën e kishës janë afishuar tarifa që kanë zemëruar banorët e fshatit. Duke qenë se komuna nuk ka një agjenci funerale, personave që u ndodh një fatkeqësi paraqiten tek prifti i fshatit, i cili në raste të tilla i ka të gjitha: makinën e varrimit, kurorat, pllakën e varrit etj., sigurisht kundrejt pagesës.

“Punoj me urdhër nga Arqipeshkëvia”

Në derën kryesore të kishës së fshatit ndodhet një letër, ku janë të afishuara çmimet për shërbimet përkatëse. Pranë asaj letre të printuar ndodhet edhe një letër tjetër e afishuar, ku thuhet se Kisha Autoqefale Shqiptare është person i tatueshëm, madje mund të shihet edhe numri i NIPT-it. I pyetur rreth këtij fakti, prifti i kishës së “Shën Mikaelit”, Gori Ndreka, pohon se “për afishimin e tarifave është marrë urdhër nga Arqipeshkëvia e Beratit dhe nga varemi”. “Ne kemi punëtorë, pastrues, konsumojmë energji elektrike, pra kemi shpenzime, ndërsa paratë nuk kemi nga i marrim. Janë pikërisht këto shërbesa që ne kryejmë, me lekët e së cilave nxjerrim pagat e punonjësve”, deklaron ai. Sipas tij, të tilla afishe me tarifat e shërbimeve ka në shumë kisha të Fierit, Vlorës, Beratit etj. Madje, për të qenë transparent, ne kemi afishuar edhe numrin e NIPT-it të kishës autoqefale”, përfundon prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›