E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mos e prekni Inën"

Ambasadori Amerikan kritikon sulmet qe po i behen Prokurorise se pergjithshme ne perpjekjen e saj per te zhveshur nga imuniteti zyrtaret e perfshire ne ceshtjen e Gerdecit

TIRANË - Aspak “i butë” ishte reagimi i djeshëm i ambasadës amerikane, disa orë pas kërkesës së bërë nga Këshilli i Mandateve nga Prokurorisë së Përgjithshme për dokumente të tjera shtesë që përfshijnë Forcat e Armatosura në ngjarjet e Gërdecit. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çfarëdo përpjekjeje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e Prokurores së Përgjithshme dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo, është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”. Kështu thuhet e zezë mbi të bardhë në një deklaratë për shtyp të ambasadorit të SHBA-ve, Xhon Uidhërs II, pas takimit me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, ku kjo e fundit e informoi ambasadorin mbi aspektet publike të një serie hetimesh në vazhdim, përfshi në mënyrë specifike atë të Gërdecit. Ndërsa duke lexuar mes rreshtave, kuptohet fare lehtë se nga kreu i ambasadës amerikane u kërkua diplomatikisht qartazi që askush të mos ndërhyjë në hetim. Me një gjuhë, si zakonisht shumë zyrtare, ambasadori Uidhërs e siguroi Prokuroren e Përgjithshme që qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore. “Qeveria e SHBA-ve nuk do të paragjykojë përfundimin e ndonjë procedimi ligjor, por pret që vetëm faktet do të jenë përbërësi kritik për të përcaktuar gamën dhe natyrën e hetimit”, - thuhet në njoftimin për shtyp të bërë publik dje pasdite, pas takimit dypalësh Uidhërs-Rama. Në fund të deklaratës së tij publike, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhërs, shton se qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë axhendë politike në atë çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›