Fetel, 1 pikë larg titullit kampion bote
Gjermani i Red Bull ka dominuar edhe në garën e Singaporit, por kurorëzimi është shtyrë për në Japoni
Sebastian Fetel e ka fituar garën për Çmimin e Madh të Singaporit, duke dominuar plotësisht ndaj kundërshtarëve. Piloti gjerman fitoi garën e nëntë të sezonit nga 14 ndalesash, por për ta festuar titullin e dytë të kampionit të botës në Formula 1 i nevojitet edhe një pikë dhe këtë mund ta bëjë në garën e ardhshme, në Japoni. Ai e mbylli garën prej 61 xhirosh të dielën për kohën 1:59:06.757, duke e lënë prapa Xhenzon Batonin e McLaren, i cili është i vetmi pilot që ka ende gjasa matematike për titull. Fetel u shkëput nga kundërshtarët që në xhirot e para, duke shkuar deri në 10 sekonda avantazh. Fitoren nuk arriti t’ia rrezikojë asnjë pilot në asnjë moment. “Ishte një ditë e mirë për ne, vetura funksionoi në mënyrë të jashtëzakonshme. Shpejtësia e kësaj veture është fenomenale. E dua këtë garë, i dua sfidat. Sa i përket titullit të kampionit, mendoj se i kemi të gjitha mundësitë në garën e ardhshme”, theksoi piloti gjerman pas garës. I treti përfundoi piloti tjetër i Red Bull, Mark Veber. Fernando Alonso me Ferrari ishte i katërti, përpara Ljuis Hamiltonit të McLarenit. Kampioni i shtatëfishtë, Mikael Shumaker nuk arriti ta përfundojë garën pasi pati një incident, por fatkeqësisht nuk pësoi dëmtime. 24 vjeçari, i cili e fitoi për herë të parë garën në Singapor, aktualisht ka 124 pikë më shumë se Baton. Ai mund t’i gëzohet titullit në garën e Japonisë, në Suzuka më 9 tetor. Për Fetel, kjo ishte fitorja e 19-të në karrierë, kurse për Red Bullin, triumfi i 24-t.
ÇM i Singaporit
1. Fetel Red Bull 25
2. Baton McLaren 18
3. Veber Red Bull 15
4. Alonso Ferrari 12
5. Hamilton McLaren 10
Renditja
Pilotët
1. Fetel Red Bull 309
2. Baton McLaren 185
3. Alonso Ferrari 184
4. Veber Red Bull 182
5. Hamilton McLaren 168
Konstruktorët
1. Red Bull 491
2. McLaren 353
3. Ferrari 268
4. Mercedes 114
5. Renault 70