E Diel, 1 Nëntor 2026

Fevziu: Udhëtimi me Berishën nga Brukseli në Tiranë, 72 orë me makinë nëpër Evropë



Blendi Fevziu

15 Prill 2010, Bruksel
Asnjë prej personave që qenë ulur përballë një televizori të stacionuar tek CNN në Hotel “CONRAD” në Bruksel, nuk e mori seriozisht lajmin kërcënues të një gazetareje që raportonte nga Aeroporti Hithrou i Londrës: Hiri vullkanik që vjen nga Islanda përbën kërcënim për fluturimet civile mbi Evropë dhe për pasojë pritet ndërprerja e fluturimeve. Londra, Dublini dhe Kopenhageni i kishin anuluar gjithë fluturimet, ndërsa reja raportohej se lëvizte me një shpejtësi prej 40 km në orë drejt Evropës Qëndrore dhe Lindore.
Kryeministri shqiptar, që zbriti pak minuta më vonë në holl, dukej se nuk i kushtoi shumë rëndësi kësaj. I rrethuar nga stafi, përfaqësues të Ambasadës dhe gazetarë, ai dukej më i fokusuar te takimi me Presidentin Rompoi sesa te problemi i kthimit në Tiranë. Një kthim, i fiksuar për të nesërmen në 07:10 të mëngjesit në linjën Bruksel – Vienë – Tiranë.
Pesë orë më vonë, ndërsa isha ulur në studion e improvizuar të emisionit OPINION, në një studio televizive belge pranë Komisionit Evropian, mora konfirmimin e parë: Fluturimi Bruksel–Vienë qe anuluar. Aeroporti i Brukselit qe mbyllur për një periudhë të panjohur dhe reja vullkanike po udhëtonte drejt Evropës Qendrore. Udhëtimi Bruksel–Vienë dhe më pas Vienë–Tiranë do të kishte në bord së paku 15 veta nga Shqipëria, duke përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë, stafin e tij të afërt, diplomatë dhe disa gazetarë e operatorë.
Ndërsa hynte në emisionin Opinion, Berisha i dha porosi stafit të tij dhe Ambasadores të kontrollonin çdo mundësi për të personalisht, në mënyrë që të sigurohej kthimi. çdo rrugë, përfshi nga Këlni, Dyseldorfi, Frankfurti apo Mynihu.
Por lajmet nuk qenë aspak pozitive. Aeroporti i Frankfurtit qe mbyllur, ai i Këlnit po ashtu, ndërkohë që mbetej Mynihu dhe Dyseldorfi. Afër mesnatës, Berisha u ngjit në dhomë, ndërkohë që Ambasadorja e Shqipërisë në Bruksel, shoqëruesit e sigurisë së Kryeministrit, protokolli belg dhe pak prej atyre që qenë rrotull, nisën të merren me udhën e kthimit. Mynihu u njoftua i mbyllur dhe ndërkohë që u bë rezervimi në linjën Dyseldorf–Vienë, u njoftua mbyllja e aeroportit të Dyseldorfit.
Aeroporti i Parisit qe mbyllur ndërkohë dhe zgjidhja tjetër, ajo Bruksel–Lion me makinë dhe më pas Lion–Romë–Tiranë u dogj. Lioni u mbyll. Rreth orës 12:30 të natës, asnjë aeroport në gjithë zonën rreth Brukselit nuk figuronte i hapur dhe situata po përkeqësohej çdo moment. Ambasadori ynë në Berlin njoftoi se trenat qenë ndërkohë të mbushur plot dhe se ai po i kërkonte Ministrisë së Jashtme gjermane një ndërhyrje. Në orën 01:00, stafi njoftoi Berishën dhe ai dha porosi që të niseshin ndërkohë drejt Vienës me makinë.
– Në çdo aeroport që gjejmë rrugës dhe që është i hapur, marrin avionin për Vienë apo diku tjetër, iu tha shoqëruesve të tij.
Unë ju drejtova konsierzhit dhe i kërkova të më prenotonte një biletë treni për në Paris. Mendova që në vend të rrugës me makinë nëpër Evropë të udhëtoja drejt Parisit dhe të prisja atje hapjen e linjës, Paris–Romë–Tiranë ose Paris–Vienë. Atë moment as e çoja nëpër mend që bllokimi mund të zgjaste më shumë se sa disa orë dhe mendoja se meqenëse e kisha humbur avionin e parë për në Shqipëri, mund të vijoja më pas me atë të mbrëmjes, nga Parisi.
30 minuta më vonë, konsierzhi më vështroi me shumë trishtim.
Nuk ka asnjë biletë treni për në Paris deri në datën 19 Prill, nuk mund të gjendet asnjë e vetme; nuk ka asnjë makinë me qira në gjithë zyrat e Brukselit dhe asnjë vend në autobuzët që shkojnë drejt Francës, qoftë edhe me ndalesa.
E vështrova me habi, por ai shtoi se ndërkohë gjithë dhomat e hoteleve qenë rezervuar dhe se Conrad s’do të kishte të nesërmen asnjë dhomë të lirë.
Zotëri, shtoi me shaka. Kam 21 vjet që punoj këtu dhe s’kam parë një situatë si kjo. Janë anuluar 20 mijë fluturime dhe më shumë se 3 milionë njerëz kanë mbetur rrugëve. Hotelet po i prenotojnë shoqëritë ajrore, por edhe ato s’po gjejnë më dhoma të lira.
Ju nështrova fatit, duke menduar se në të gjitha rastet, më mirë sesa të endesha nëpër rrugët e Brukselit, në pritje të një vendimi që askush s’dinte të thoshte se kur do të vinte, ishte t’i bashkohesha karvanit të Kryeministrit. Një karvani mik, që po tentonte të kthehej në Shqipëri, nëpër një rrugë prej afro 3000 km.
U bëra gati të ngjitesha në dhomë për të bërë gati plaçkat, kur mësova lajmet e fundit. Protokolli belg nuk lejonte që Kryeministri të nisej natën dhe ai gjerman nuk kish kohë të merrte masat e sigurisë. Ambasadat shqiptare në Berlin dhe Vienë po qëndronin në gatishmëri, por ishte thuajse e pamundur të gjeje një rrugë kthimi. Lajmet qenë edhe më të frikshme. Rrugët e Evropës qenë tejet të rënduara nga trafiku, ndërkohë që në trena nuk gjendej asnjë vend. Nga Këlni për në Vienë, ofroheshin vetëm 3 bileta në këmbë, për një udhëtim prej 16 orësh.
Në orën 02:00 të mëngjesit u vendos që grupi të nisej të nesërmen në mëngjes, dhe deri atëherë të pritej për ndonjë njoftim nga aeroportet.
* * *
16 Prill 2010
E premtja në mëngjes qe e mbushur me lajme konfuze. Pyeta sërish për Parisin dhe më thanë se tashmë bileta e vetme që mund të prenotohej i takonte datës 22 Prill.
Poshtë, shtabi i emergjencës i Kryeministrit, me Ambasadoren, shoqëruesin e tij dhe protokollin e sigurinë belge, qenë në pritje të një njoftimi të fundit. Në orën 10:00 aeroporti do të jepte një konferencë shtypi, në të cilën do të njoftonte nëse lejohej fluturimi apo jo.
Në orën 10:05 lajmi qe dëshpërues. Aeroporti do të qëndrojë i mbyllur deri në datën 17 ora 18:00, por edhe ky nuk është njoftim përfundimtar.
Rojet belge njoftuan që eskorta do të nisej dhe morën përsipër që në autokolonë të hynte edhe një mikrobuz me gazetarë, kameramanë dhe persona të tjerë që kishin shoqëruar vizitën.
Nisemi, tha Berisha, që zbriti në holl 5 minuta më vonë. Makina Audi A8 e blinduar e Kryeministrit, makina e sigurisë dhe makinat e policisë, bashkë me makinat e Ambasadës u nisën drejt Gjermanisë. Itinerari i ndryshueshëm në çdo rast ishte përcaktuar në përgjithësi: Bruksel– Aachen–Këln–Frankfurt–Nurenberg–Linz–Vienë. Një udhëtim që, sipas klikimit që kisha bërë në google, ishte plot 1108 km dhe zgjaste 11 orë e 50 minuta. Pa llogaritur qëndrimet e vogla, ndryshimet e eskortës nga një land në tjetrin dhe gjithë vonesat që shkakton zakonisht një udhëtim i tillë.
U nisëm. Në Nurenberg na priste përfaqësia e Ambasadës shqiptare në Berlin dhe në kufirin gjermano–austriak, ajo e Ambasadës në Vienë. Rrugët e Evropës qenë të ngarkuara dhe kalimi mes përmes Gjermanisë, pa asnjë ndalesë, po ashtu i lodhshëm. Eskorta dhe Benzi i blinduar që gjermanët nxorën në kufi çanin me sirena në një trafik të rënduar dyfish nga qiejt e mbyllur të Evropës.
Kur mbërritën në Nurenberg morëm lajmin tjetër: Aeroporti i Vienës po mbyllej atë moment dhe bashkë me të edhe ai i Budapestit. Mbetej Maribori i Sllovenisë, i cili, siç na u tha 30 minuta më vonë, po ashtu qe mbyllur. E vetmja që operonte ishte Alitalia nga Roma, sepse aeroportet e Milanos, Venecias dhe Triestes qenë mbyllur. Na njoftuan se reja vullkanike po zbriste drejt Tiranës, por se për momentin aeroporti qe ende i hapur. 30 minuta më vonë na njoftuan se Aeroporti i Vienës qe mbyllur vetëm sot dhe se të nesërmen në mëngjes do të hapej sërish.
Rreth orës 02:00 të mëngjesit hymë në Vienë. Gjetja e hotelit kish qenë e vështirë për Ambasadën dhe delegacioni i Kryeministrit qe ndarë në dy pjesë. Ai vetë u vendos në Hotel Grand, ku kish arritur të gjente një vend edhe agjencia ime dhe ku ndodheshin edhe disa miq të tjerë të mbetur nga Tirana.
Kishim udhëtuar 15 orë mespërmes Evropës dhe askush nuk mund të thoshte nëse do të niseshim dot të nesërmen. Autokolona qe shpërndarë dhe mendova se vuajtja e izolimi do merrnin fund së paku të nesërmen.
* * *
17 prill 2010
Në mëngjes u ngrita vonë dhe isha krejt i këputur. Një punonjës i Ambasadës që gjeta në holl me njoftoi se Berisha ish takuar me Presidentin kosovar Sejdiu, që kish qenë atë natë në hotel, rastësisht dhe se vetë Kryeministri ishte në dhomë duke lexuar. Sipas tij, avioni i mëngjesit nuk qe nisur, por pritej nisja e atij të mbrëmjes. Ky ishte informacioni i parë që kisha marrë sapo isha zgjuar nga agjencia ime.
Mbasdite u ktheva nga shëtitja në qytet dhe Kryeministri ishte në holl, i shoqëruar nga disa funksionarë të Ambasadës.
Nuk fluturojmë dot as sot, më tha, por po shohim nesër në mëngjes!
Vetëm me makinë mos ikim, i thashë duke qeshur.
Nëse duhet, po, më tha.
Atëherë duhet të vij edhe unë me ju, i thashë.
Gazetarët e tjerë qenë larguar atë mëngjes me makina drejt Shkupit e më pas Tiranës. 1200 km rrugë.
Isha në dhomë, kur nga Tirana më njoftuan se Presidenti e kish anuluar udhëtimin në Poloni, ku do merrte pjesë në varrimin e Kazinskit dhe se në Tiranë ishte hapur lajmi se Berisha do të vijonte me makinë drejt Krakovit, për të zëvendësuar atë në ceremoni. Po i njëjti gazetar më tha se udhëtimi i Kryeministrit dhe endja e tij nëpër Evropë kishin bërë lajm në të gjithë shtypin. Ku ndodhet, më pyeti një koleg?
Poshtë në hotel i thashë. Po pi kafe. Më thanë se gjatë gjithë ditës ka ndenjur duke lexuar.
CNN po njoftonte se Presidenti Obama, Presidenti Sarkozi dhe Kancelarja Merkel kishin anuluar po ashtu pjesëmarrjen në ceremoninë polake, si pasojë e hirit vullkanik. Merkel vetë, po udhëtonte me autobus, nga Roma për në Berlin. Lajmet qenë të frikshme dhe pak më vonë, Ministri i Transporteve më çoi një sms në të cilën thoshte se rrezikohej edhe mbyllja e aeroportit të Rinasit. Hapa sërish kompjuterin për të gjetur ndonjë mundësi dhe kalkulova që me makinë, udhëtimi qe afro 1300 km, duke kaluar nëpër Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Mal të Zi. Një udhëtim që parashikohej pa asnjë ndalesë për afro 16 orë sepse rruga nga Spliti në Tiranë, afro 600 km nuk ishte më autostradë.
Ne po nisemi me makinë, më tha Berisha pak më vonë kur zbrita në holl. Po flas sot me Ambasadën. Nëse vjen me ne duhet të jesh gati. Nisemi ose sot në 11 të natës me makinë dhe ndalojmë në Split, ose nesër në 5 të mëngjesit dhe vijojmë deri në Tiranë.
Të gjithë ata që qenë rrotull sugjeruan që zgjidhja më e mirë ishte ndalimi në Dubrovnik për një natë dhe vijimi për në Tiranë të nesërmen. Ideja për ta arritur Tiranën brenda ditës në 1300 km jo autostradë dukej e pamundur.
Rreth orës 21:00 po bëhesha gati për darkë, kur më lajmëruan se Berisha qe takuar me Nanon në Vienë. Zbrita në hollin e Hotel Grand, por nuk kishte njeri. Anëtarë të stafit të Berishës më thanë se Berisha kish kontaktuar vërtet me Fatos Nanon, konkurrentin e vjetër dhe njeriun që e kish pasuar në krye të Qeverisë, dhe i kish kërkuar takim. Me sa duket Nano ishte përgjigjur pozitivisht dhe ata po darkonin së bashku atë moment.
Pak më vonë, kur hyra në restorantin, “Le Ciel”, një restorant francez në katin e fundit të hotelit, i pashë në tavolinën e parë afër derës. I përshëndeta me shaka dhe u ula pak më larg. Vura re se Berisha po e informonte për vizitën në Bruksel dhe takimet që kish pasur atje.
Qëndruan bashkë më shumë se 3 orë dhe 20 minutat e fundit, bashkë me një koleg, ju bashkuam për një kafe. Ish një bisedë e përgjithshme që fokusohej herë te raportet me BE, herë te problematika e gjetjes së specialistëve të mirë dhe përfaqësimi jashtë i Shqipërisë; herë herë te problemet e ditës. Pak minuta më parë kishin marrë lajmin se takimi i tyre ishte bërë publik në Shqipëri dhe kishin vendosur të dy ta shoqëronin me një foto, që ish nisur ndërkohë drejt Shqipërisë.
Kur u ndanë, Berisha hyri në dhomën e tij, ndërsa unë zbrita me Nanon poshtë. Ai kish parkuar makinën përpara hotelit dhe me shaka, më tha se mund të na shoqëronte vetë drejt Dubrovnikut.
* * *
18 Prill 2010
Në orën 5 të mëngjesit, autokolona ishte gati përpara Hotel Grand. Një autokolonë, që siç e kisha parë në Google, duhej të përshkruante plot 1000 km deri në Dobrovnik, në rrugën drejt Shqipërisë. Një udhëtim që po vijonte prej 72 orësh, në mungesë të dy fluturimeve prej 3 orësh gjithsej.
Udhëtimi qe i gjatë dhe i lodhshëm. Një udhëtim gjatë gjithë Ballkanit, nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, shoqëruar nga eskorta policie, makinat e ambasadave dhe shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë, që kishin dalë të takonin Kryeministrin e Shqipërisë. Berisha e kalonte kohën në makinë, duke lexuar lajme dhe komente në internet, në BlackBerry–n e tij dhe duke folur në telefon.
Autostrada nga Zagrebi në Split ishte bosh, pak makina lëviznin nëpër të dhe dukej se shoqërimi me makinë policie ishte i tepërt. Rruga më e rëndësishme e Kroacisë, e ndërtuar nga Bechtel, në një standard të lartë, po vijonte edhe më tej drejt Dubrovnikut. Thuajse 100 km larg tij, ku ndërpritej për të vijuar me rrugën e vjetër, një rrugë shumë e ngjashme me ato tonat, funksionale, por jashtë gjithë standardeve normale.
Në orë 16:00, autokolona ndaloi për drekë në afërsi të Dubrovnikut.
Jemi afër i thashë Ambasadorit, përse ndaluam?
Nuk do qëndrojmë në Dubrovnik, tha, Kryeministri ka vendosur të vijojë më tej.
Kalkulova edhe 5 orë e gjysmë udhëtimi më shumë, që të gjitha bashkë, e çonin udhëtimin në 1300 km dhe me gjithë ndalesat në afro 17 orë e gjysmë.
Në orën 18:30 ndodheshim në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi! Eskorta e Kryeministrit dhe një supereskortë malazeze kish dalë në kufi. Kryeministri qëndroi t’u japë dorën shoqëruesve kroatë, siç kish bërë gjatë gjithë udhëtimit me eskortat, ndërsa mbi 10 roje e rrethuan menjëherë. Makina zyrtare shqiptare, një Mercedez S 320, u vu në lëvizje. Rrugës na thanë se edhe Kryeministri malazez, Gjukanoviç, kish mbetur në Londër dhe me gjasë do të ulej në Tiranë pak më vonë, për të udhëtuar drejt vendit të tij. Kështu po udhëtonin nën qiejt e ndotur nga reja vullkanike, në rrugë tokësore, shumë liderë dhe drejtues politikë evropianë. Si edhe mijëra e mijëra qytetarë të thjeshtë, që vullkani ju kish shkatërruar planet, i kish lënë në mes të rrugës dhe tashmë, po tentonin të gjenin rrugë dhe shtigje për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
Mali i Zi ishte i gjithi nën shi, por eskortimi dhe nxitmi i eskortës, arriti të na nxjerrë në orën 22:30 në Murriqan. Dhjetëra kamera kishin ndriçuar me blitcet e tyre pikën e përbashkët kufitare. Berisha zbriti për t’ju dhënë një deklaratë të shkurtër dhe pak minuta më pas vijuam.
Afër mesnatës hymë në Tiranë. Isha larguar nga qyteti 6 ditë më parë dhe tashmë po kthehesha, me 6 ditë vonesë, pas një udhëtimi të gjatë, pothuajse 72 orësh, nëpër një Evropë të traumatizuar nga ndalimi i udhëtimeve ajrore dhe të kapur peng nga mosdija dhe mos paralajmërimi për këtë.
Kisha udhëtuar në një karvan makinash, në qendër të së cilit ish ajo e Kryeministrit të Shqipërisë, që tashmë, kthehej në Shqipëri duke kaluar plot shtatë shtete, nga ai drejtim ku dëshironim të intergroheshim plotësisht…

Berisha: Nano është anti-bojkot

Erald Kapri

Kryeministri Sali Berisha tregoi detajet e takimit të tij me liderin historik të së majtës shqiptare Fatos Nanon në Vjenë. I sapo ardhur nga Brukseli, në një udhëtim prej 2500 kilometrash, Kryeministri tregoi arsyet për ftesën që i bëri për darkë ish-rivalit të tij politik. Berisha tha se Nano ka kontributin e tij në historinë moderne të vendit, ndërsa shtoi se komentet e tjera për arritjen e një marrëveshjeje 20-vjeçare mes tyre i cilësoi si produkte mediatike. “Në lidhje me marrëveshjen 20-vjeçare, këto janë krijesa të mediave. Unë shpjegova pak a shumë përmbajtjen e atyre që bisedova në një darkë, në të cilën unë ftova zotin Nano për ato qëllime që i shpjegova qartësisht. është e vërtetë se kundërshtimet e mia me zotin Nano kanë qenë të panumërta, por marrëveshjet tona kanë integruar më para Shqipërinë. Sikundër edhe marrëveshjet që kam kryer me zotin Rama i kanë shërbyer integrimit në NATO”, tha Berisha, i cili pak më herët theksoi se darka e tij me ish-kryeministrin Nano u zhvillua 20 vite pas asaj të zhvilluar në Trieste në vitin 1990. “Duke takuar zotin Nano kam shprehur një respekt për të majtën shqiptare dhe kontributin e saj në të gjitha proceset e integrimit të vendit, ndaj dhe e quajta për detyrë të bëj transparencën e këtij takimi, i cili zhvillohej në një darkë 20 vjet pas darkës së përbashkët në Trieste. Besoj se me këtë po shuaj edhe kureshtjen e fundit që kishte mbetur pa plotësuar”, tha Berisha. I pyetur nga mediat për mundësinë e ndërhyrjes së ish-kryeministrit Nano në zgjidhjen e ngërçit politik, në një lëvizje të ngjashme si me zgjedhjet lokale të vitit 2007, Berisha rrëzoi poshtë këtë mundësi. “Nuk është se unë diskutova me zotin Nano për ndonjë ndërhyrje të tij direkt në këtë problem, ndonëse ai ka bërë të qartë në publik qëndrimin e tij se është anti-bojkot. Në qoftë se theksova se z.Nano është lideri historik i së majtës shqiptare, kjo është e vërtetë, sa është e vërtetë se kryetari i Partisë Socialiste sot është Edi Rama dhe unë nuk i ngatërroj këto”, tha Kryeministri në konferencën për shtyp. Berisha u pyet nëse kishte biseduar mundësinë që Nano të ritentonte Presidencën në vitin 2012, por Kryeministri u përgjigj me shaka duke thënë se “nuk po merr asnjë anëtar” të Partisë Socialiste. Fillimisht në fjalën e tij, ai vlerësoi kontributin e ish-kryeministrit Nano, duke thënë se “lideri historik i së majtës shqiptare, pavarësisht se ku ndodhet, ka meritat e tij të cilat askush nuk mund t’ia mohojë. Zoti Fatos Nano e mori Partinë e Punës së Shqipërisë dhe e shndërroi atë nga një parti e një njeriu për 50 vite rresht, në parti që zgjodhi kryetarin, duke e pasur edhe anëtar të thjeshtë siç ishte rasti i tij”.
Kreu i Qeverisë u pyet në lidhje me bashkëpunimin me opozitën për zgjidhjen e ngërçit politik. Berisha tha se mundësia është e madhe, por vetëm duke iu referuar ligjit dhe Kushtetutës. Sipas tij, kuadri ligjor ofron mundësitë që të hapen kutitë e votimit. Për sa i përket protestave në datën 30 prill e 1 maj, Berisha tha se opozita mund t’i vazhdojë sa të dëshirojë. “Në vend që ta bëjë e majta, detyrohemi ta bëjmë ne dhe do bëjmë një koncert festiv shumë të bukur. Për sa i përket opozitës, le t’i shtrijë protestat sa të dojë, 2 ditë, 5 ditë, 10 ditë. Ky është vend demokratik dhe detyra e Qeverisë është të garantojnë zhvillimin e protestave”, tha Berisha. Për sa i përket kongresit të PS-së, Berisha tha se fjalimi i Ramës ishte mjeran, ndërsa ndryshimi i programit të PS-së për pjesën e ish-të përndjekurve, kreu i maxhorancës tha se programi kërkon përkushtim, pasi nuk është letër. “Të recitosh Fan Nolin me sloganet e Haxhi Qamilit, është zgjedhje mjerane. Nuk është letër programi, është frymë, është shpirt dhe përkushtim. Rama mund të marrë ndonjë anëtar dhe ai vetë mund të ishte anëtar i PD, po të jetë për mua, po”, tha Berisha në konferencën për shtyp.

Shalsi: Berisha s'ka lidhje me realitetin
Deputeti socialist, Eduart Shalsi, reagoi menjëherë në emër të PS-së, pas deklaratave të Kryeministrit Berisha. "Sot pamë Kryeministrin të flasë për çdo gjë, përveçse Shqipërisë reale, pasi ai nuk ka asnjë lidhje me realitetin e shqiptarëve. Pushteti i tij ngrihet mbi vjedhjen e votës, mbi vjedhjen e pronës, mbi korrupsionin, mbi dhunimin e fjalës së lirë, mbi dhunimin e institucioneve të pavarura. Shqipëria e vërtetë është ajo që publikoi INSTAT-i sot. 75 mijë shqiptarë kanë dalë të papunë vetëm brenda 3-mujorit të parë të këtij viti. Kjo është Shqipëria e vërtetë", tha Shalsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›