Takimi, Austria mbështet heqjen e vizave
Zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u prit nga homologu i tij austriak, Michael Spindelegger, ku u vlerësua procesi i plotësimit të kritereve për liberalizimit të vizave. "Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë vlerësoi progresin e prekshëm të Shqipërisë për realizimin e detyrimeve të Udhërrëfyesit dhe shprehu bindjen se së shpejti qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë pa viza në Evropë, duke garantuar mbështetjen e plotë dhe të fuqishme të Austrisë për këtë proces", thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë. Meta bëri një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë në kuadër të plotësimit të detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, proces që tashmë gjendet në prag të mbylljes me sukses të tij. "Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Meta, theksoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga procesi i liberalizimit të vizave, që Shqipëria e meriton në bazë të standardeve të arritura", thuhet në njoftim. Meta vuri në dukje se Shqipëria sapo ka dorëzuar përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Evropian, për të cilat ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces. Meta vlerësoi mbështetjen e madhe që ministri Spindelegger në bashkëpunim me homologët e tij grek dhe slloven i kanë dhënë në përgjithësi integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në veçanti realizimit të lëvizjes pa viza të të gjithë qytetarëve të rajonit drejt zonës Shengen. "Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se edhe Kosova do të thellojë përparimin e saj në konsolidimin e institucioneve demokratike, ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit të brendshëm ndëretnik dhe atij evropian, si dhe në drejtim të lëvizjes pa viza të të gjithë qytetarëve të saj në të ardhmen e afërt. Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se Kosovës duhet t'i jepet sa më shpejt një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave", thuhet në njoftimin zyrtar. Sipas këtij njoftimi, "Spindelegger vlerësoi se dorëzimi i pyetësorit është një arritje e madhe dhe është përgatitur në kohë rekord. Kjo tregon më së miri vullnetin dhe ambicien e Shqipërisë për t`u bërë sa më parë anëtare e Bashkimit Evropian".
Hyseni me Topin, Berishën e Topallin
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, në vijim të vizitës së tij në Shqipëri, takoi krerët më të lartë të shtetit. Në takimin me Presidentin e Republikës, Bamir Topin, Hyseni vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti Topi përshëndeti nënshkrimin e kontratës midis Qeverisë së Kosovës dhe firmës "Bechtel-Enka" për fillimin e autostradës Morinë-Merdarë. "Në këtë kontekst i bashkohemi mendimit se, edhe Kosova duhet të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave, në mënyrë që në Ballkan të mos mbeten 'njolla leopardi' për sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve", theksoi Topi. Në takimin me Kryeministrin Berisha, u vlerësua se që të dyja vendet të ndërmarrin hapat për studimin e fizibilitetit për një projekt të dytë që do të zgjeronte lidhjet midis vendeve, por edhe mbarë rajonin, ndërtimin e linjës hekurudhore midis dy vendeve. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Topalli, vlerësoi rritjen e marrëdhënieve mes dy shteteve. Hyseni e Topalli u shprehën optimistë që në të ardhmen, vende të tjera, shumë shpejt do të shtohen në numrin dhe vargun e gjatë të shteteve, që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.