“Komision për mbetësit dy vite në një lëndë”
Sipas rregullores, studenti ka të drejtë të japë provim në tre sezone të rregullta: sezonin e verës, vjeshtës dhe dimrit. "Në raste të veçanta, me kërkesë të Këshillit Studentor, mund të hapen edhe dy sezone (dhjetor dhe prill), për të cilat ata i nënshtrohen tarifave për shërbimin e ofruar", thotë rregullorja. Sipas saj, studentët përsëritës në sezonet e rregullta të provimit kanë të drejtë të japin në vjeshtë aq provime sa të plotësojnë gjysmën e krediteve vjetore. çka do të thotë se ata mund të ritestohen për aq lëndë sa të grumbullojnë 30 kredite, duke përfshirë si lëndët e vitit në vijim, ashtu dhe ato të mbartura nga vite të mëparshme. Po kështu, studentët kanë të drejtë të paraqiten në provim vitin pasardhës, deri në dy herë për provimet e mbartura. "Ato do të mund t'i japin një herë në njërin nga sezonet e provimeve, sipas përkatësisë së lëndës që mbart dhe herën e dytë lejohet vetëm në sezonin e riprovimit. Kur studenti rezulton kalues me kreditet e nevojshme dhe brenda dy viteve akademike nuk ka fituar një lëndë, ka të drejtë të kërkojë ngritjen e një komisioni ad-hoc", nënvizohet në rregullore. Pra ndryshe nga më parë, rregullorja e re ka sjellë ndryshime për numrin e lëndëve që një student mund të përmirësojë. Nëse më parë, për të fituar të drejtën e përmirësimit të një note, duhet të kishe shlyer të gjitha detyrimet e vitit akademik, tashmë brenda një viti akademik studenti ka të drejtë të përmirësojë notat e tri lëndëve, edhe në rast se ka provime të pa marra. Ndërsa, për ata që aktualisht ndjekin studimet në vitin e fundit, është marrë një tjetër vendim. Për herë të parë, studentët do të kenë mundësinë të përmirësojnë notat e katër lëndëve që kanë frekuentuar gjatë gjithë viteve të programit të studimeve. Në këtë mënyrë, studentët do të kenë mundësi të rrisin mesataren e tyre. Ata në fund të vitit akademik kanë të drejtë të rijapin katër provime, të cilat mund t'i kenë shlyer gjatë vitit të parë, të dytë apo të tretë të studimeve, por që nuk kanë marrë notën e dëshiruar.