E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fevziu:Kartat tregojnë arritje standardesh

I ftuar në Ora News,analisti dhe drejtuesi i emisionit "Opinion", Blendi Fevziu deklaroi se jemi vonë me procesin e kartave të identitet, megjithatë e rëndësishme është që ky proces ka nisur, sepse po i afrohemi standardeve të një kombi normal. "Për herë të parë sot shqiptarët do kenë një bazë të dhënash, që do t'ua lehtësojë më shumë jetën. Megjithatë mund të ndihen shumë pikëpyetje në mënyrën se si do të ruhen të dhënat personale të çdo njeriu", u shpreh ai. Lidhur me faktin që nuk janë shpallur listat paraprake të zgjedhjeve, Fevziu tha se ato duhet të ishin bërë tashmë të ditura pasi është një proces ligjor që nuk duhet shkelur në mënyrë më absolute. Lidhur me dekretimin e zgjedhjeve nga presidenti, analisit nënvizoi se "Presidenti ishte i detyruar të dekretonte datën e zgjedhjeve. Por fushata nuk lidhet me apektin ligjor të saj, dhe unë mendoj se partitë janë tashmë në zgjedhje elektorale". Lidhur me zgjedhjet e 2009-ës, Blendi Fevziu theksoi se në këto zgjedhje nuk ka shumë surpriza sa i përket koalicioneve,tashmë janë bërë të ditura dhe nuk duket se do ketë ndryshime, por enigma më e madhe mbetet nëse do të ketë një bashkim të LSI-së me PS-në apo jo. Lidhur me përpjekjen e krijimit të një koalicioni të djathtë pa Berishën, Fevziu tha se "Kjo ndodh prej 19-të vjetësh, por tek e djathta shqiptare nuk ka funksionuar, janë më shumë manovra elektorale, këto parti lëvizin për të krijuar kushte më të mira negocimi". Sipas tij, e djathta është më e organizuar se sa e majta, por kjo nuk duket se do ta ndihmojë shumë atë. Lidhur me krizën ekonomike, analisti Fevziu tha se Shqipëria do ta ndjejë në mënyrë indirekte krizën, efekte anësore do të ketë, por nuk do goditemi nga thelbi i krizës. Në fund të fjlaës së tij, analisti dha edhe një vlerësim për televizionin Ora News, i cili para dy ditësh festoi edhe 2-vjetorin e krijimit. "Shumë rrallë një media mund të ketë një rritje kaq të madhe në kaq pak kohë, më thelbësore do vlerësoja faktin që është një televizion i hapur dhe i lirë, për më tepër më ka surprizuar edhe infrastruktura e këtij televizioni", vlerësoi Fevziu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›