E Diel, 1 Nëntor 2026

Ficxherald: KFOR, i gatshëm të reagojë nëse strukturat paralele rrezikojnë paqen

Komandanti i Forcave të Përbashkëta të NATO, admirali Mark Ficxherald theksoi se çdo strukturë paralele në Kosovë paraqet rrezik për sigurinë në vend. Admirali Ficxherald, i cili qëndroi në Prishtinë ku takoi komandantin e KFOR, Markus Bentler tha se nëse strukturat paralele rrezikojnë paqen atëherë KFOR është i gatshëm të reagojë. Të dy ushtarakët e lartë të NATO, thanë në një konferencë për media se prej dhjetë mijë, numri i trupave të KFOR që ndodhen aktualisht

 në Kosovë do të mbetet edhe për një kohë, derisa Aleanca Veriatlantike të konstatojë, se situata e sigurisë ka shënuar përmirësime të mëtejme për të vazhduar më pas me zvogëlimin e trupave. Ne do të vazhdojmë të analizojmë situatën e sigurisë bazuar në rrethanat dhe kushtet, në të cilat do të kalojë vendi. Dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se reduktimet eventuale të mëtejme do të bazohen vetëm mbi një analizë të mirëfilltë të situatës së sigurisë, tha admirali Mark Fitzgerald. Ai shtoi se forcat paqeruajtësit në muajt e ardhshëm do të vazhdojnë të bartin shumë përgjegjësi tek institucionet kosovare të sigurisë, siç janë Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës. Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, deri sa ajo të arrijë kapacitetet e plota për tu përgjigjur në kriza të ndryshme. Kjo forcë do të angazhohet në deminimet, në ndihma mjekësore, në operacionet e shpëtimit në katastrofat natyrore, siç ishte rasti më Shqipërinë. Bartja e përgjegjësive do të ndodhë edhe tek policia e Kosovës, sa i përket ruatjes së objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilat deri tash janë ruajtur nga KFOR, u shpreh ai. Institucionet e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, tashmë kanë hartuar një strategji për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, banuar me shumicë serbe. Strategjia ka për qëllim integrimin e kësaj pjese dhe rrjedhimisht edhe shuarjen e strukturave paralele serbe. Forcat paqeruajtëse nuk janë të përfshira në këtë strategji, mirëpo komandanti i krahut jugor të NATO, admirali Mark Fitzgerald, tha se strukturat paralele gjithmonë janë kërcënim për situatën e sigurisë. Çdo strukturë paralele është kërcënim të situatën e sigurisë dhe ambientin e qetë. Kjo natyrisht nuk është në të mirë të Kosovës dhe këtë nuk e dëshirojnë as forcat paqeruajtëse. Sa i përket këtyre strukturave paralele unë nuk mund të them se ne si KFOR, nuk do të përdorim forcën për shpërbërjen e tyre, sepse kjo është më shumë çështje politike, që kërkon zgjidhje. Mirëpo ne jemi këtu duke vëzhguar dhe nëse kërcënohet situata e sigurisë në atë shkallë që  të nevojitet ndërhyrja jonë, atëherë ne jemi të gatshëm të veprojmë, nënvizoi admirali Fitzgerald

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›