E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fideli dhe balerina

Një ekspeditë nga Kuba, për grushtin e shtetit në Panama “Foreign Office”: Në vitin 1959, Margot Fonteyn donte bashkëshortin e saj në pushtet

Revolucionari me mjekër dhe balerina. Komunisti latino-amerikan dhe zonja angleze, Fidel dhe Margot. Ndoshta mund të ishin personat e goditur të një romani policesk, apo të ndonjë vepre tjetër, natyrisht nëse kësaj të fundit do t’i shtohej edhe një grusht shteti, qindra luftëtarë kubanë të fshehur në një jaht luksoz dhe dielli i nxehtë i ishujve tropikalë. Por kjo histori nuk është trillim, apo roman. Nuk është e sajuar, por ka ndodhur vërtet. Në fund të viteve ‘50, Margot Fonteyn, një nga interpretueset më të mëdha të vallëzimit klasik të të gjitha kohërave, u përfshi në një komplot për të marrë pushtetin në Panama, me ndihmën e Fidel Castro-s, të cilin ajo e takoi personalisht në Kubë që të diskutonin detajet e planit.

Gjithçka përfundoi keq. Balerina u arrestua nga autoritetet panameze dhe u burgos në një burg të zymtë: vlen të thuhet se ky i fundit ishte një suitë presidenciale, ku i shërbente një shërbëtor anglez, i cili çdo ditë këpuste trëndafila të freskët dhe ia vinte në tryezë.

Nga arkivat e shtetit britanik, Kew Garden, dalin me gjysmë shekulli vonesë sekrete pak a shumë mahnitëse. Më shumë se lajme të rralla, ka dalë në dritë një ngjarje shumë dramatike, kurioze dhe e hatashme. Margot Fonteyn, emri i artit Margaret Hookham, ishte balerina e parë e baletit mbretëror të Londrës, kur në vitin 1955 u martua me Robert Arias, një diplomat panamez, biri i ish-presidentit të Republikës së vogël të Amerikës Qendrore. Martesa qe e shpejtë, për shkak të tradhtive të bashkëshortit dhe aktivitetit të saj politik kundër qeverisë së Panamasë.

Në janar të vitit 1959, Arias dhe Margot shkuan në Kubë, ku takuan Fidel Castro-n. Ky i fundit u betua se do të kishin mbështetjen e tij, si në trupa, ashtu edhe në armë. Në prill të po atij viti, filloi operacioni. Një jaht luksoz u nis nga shteti i Panamasë, zyrtarisht për të çuar për peshkim Arias dhe bashkëshorten e tij. Në jaht hipën 125 “barbudos”, luftëtarë kubanë të dërguar nga Fidel Castro. Operacioni as që mundi të fillonte. çifti u zbulua, Arias dhe luftëtarët ia mbathën, ndërsa Margot mundi të hynte në Panama, me shpresën që të mos ngjallte dyshime. Por ndoshta lëvizjet e saj ishin shumë të lexueshme dhe si pasojë balerina u arrestua. Lajmi mori menjëherë dhenë. Autoritetet vendase e mbyllën në apartamentin e Presidentit, duke e trajtuar si një yll, dhe pas pak kohësh e riatdhesuan. Gjatë burgosjes iu lejua një takim me ambasadorin britanik, sër Ian Henderson, i cili ndërhyri për të. Margot i tregoi gjithçka dhe ambasadori i dërgoi raporte “Foreign Office”, ku kanë mbetur të ruajtura deri më sot në arkiva si “top sekret”.

Shumë vite më vonë, Margot Fonteyn u rikthye në vendin e krimit. Në vitin 1965, rivali politik i qëlloi bashkëshortit të saj Arias, duke e lënë të paralizuar. Balerina e vazhdoi kërcimin deri në moshën 60-vjeçare, për t’u bërë ballë shpenzimeve mjekësore. U tërhoq nga baleti vetëm në vitin 1979. Kështu, për t’i qëndruar pranë të shoqit, i cili kishte marrë lejen të kthehej në atdhe, u kthye edhe ajo në Panama, ku vdiq në vitin 1991.

Momenti më kulminant i shkëlqimit të saj në skenë ishte koha kur u përpoq të organizonte grushtin e shtetit me ndihmën e Fidel Castro-s. Në vitin 1961, balerini i madh rus, Rudolf Nureyev, përfitoi nga turneu i tij i parë në Europë, për të kërkuar azil politik dhe e braktisi ish-Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1962, Nureyev dhe Margot u shfaqën bashkë për herë të parë në Londër. Pavarësisht diferencës së moshës (ai ishte 20 vjet më i madh), u bënë një çift i pandarë në skenë dhe miq të ngushtë në jetë. Kush e di nëse ajo i ka treguar ndonjëherë atij, i cili u largua nga komunizmi sovjetik, komplotin e fshehtë me Fidel Castro-n.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›