E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët

Rivaliteti mes vëllezërve: miq apo armiq Gjithçka varet nga prindërit

Një familje quhet me të vërtetë e tillë kur vijnë në jetë fëmijët, të cilët krijojnë një lidhje më të ngushtë mes prindërve përmes shtimit të gëzimeve, por edhe përgjegjësive dhe lodhjes. Fillimisht marrëdhënia me ta është e thjeshtë, sepse ndërsa janë të vegjël, ata kanë vetëm nevoja kryesisht fizike, ndërsa me rritjen u shtohet edhe kompleksiteti dhe shumëllojshmëria e marrëdhënieve njerëzore. Veçanërisht delikate janë marrëdhëniet mes fëmijëve me njëri-tjetrin dhe mes tyre e prindërve. është një rrugëtim i gjatë e i vështirë, gjatë të cilit të dyja palët mësojnë, por fatkeqësisht përmes gabimeve. Në një familje është e pamundur që dy fëmijë të jenë njësoj. Njëri prej tyre është gjithmonë “më i mirë, më i zgjuar, më i dëgjuar dhe shkon më mirë në mësime”. Ndërsa tjetri shpesh duhet që të ndryshojë, duke pasur si model vëllain ose motrën “më të mirë”. “Përse nuk je edhe ti si yt vëlla/jot motër?”, dëgjojmë shpesh që t’i thonë prindërit fëmijës “më të keq”.
Lami i mirë është se prindërit kanë shumë në dorë për sa i përket formimit dhe përcaktimit të marrëdhënies që kanë dhe do të kenë edhe në të ardhme fëmijët e tyre. Lajmi i keq është se jo gjithmonë prindërit e kuptojnë rëndësinë e rolit të tyre dhe jo gjithmonë zgjedhin rrugën e drejtë për të arritur rezultatin e mirë. Prindërit duan më të mirën për fëmijët e tyre dhe kur ata nuk e shohin të realizuar këtë, mund të lindin strese të mëdha në një familje, madje edhe konflikte të mirëfillta. Një nga ndikimet më të mëdha që mund të kenë prindërit në marrëdhënien e fëmijëve me njëri-tjetrin, është mënyra se si reagojnë ata kur fëmijët zihen. Nëse në një rast prindërit do të thonë: ‘Vajza ju lutem mos u zini, se në këtë familje ne i zgjidhim gjërat ndryshe’, atëherë marrëdhënia me motrave do të ndërtohet mbi një bazë më të drejtë se në rastin kur prindërit janë indiferentë ndaj veprimeve të tilla të fëmijëve të tyre. Shembulli personal është një tjetër moment i rëndësishëm për edukimin e fëmijëve. Prindërit nuk e kuptojnë dot kurrë tërësisht se sa të rëndësishme janë veprimet që ata bëjnë para fëmijëve të tyre. Kjo për shkak se fëmijët, sidomos në fillim, tentojnë që të imitojnë prindërit e tyre. Kur fëmijët shohin grindje, ata do të marrin modelin e grindjes, ndërsa kur shohin se prindërit e mbështesin njëri-tjetrin, atëherë ata do të nisin që të mbështesin në të njëjtën mënyrë vëllain apo motrën e tyre. Në Perëndim, 82% e njerëzve kanë një vëlla apo një motër. Ky person me të cilin kemi një lidhje të tillë gjaku, është jo vetëm njeriu me të cilin na takon që të ndajmë marrëdhënien më të gjatë të jetës, por edhe personi me të cilin kalojmë kohën më të madhe gjatë fëmijërisë sonë, madje më shumë kohë se sa me vetë prindërit. Pa dyshim që bëhet fjalë për një lidhje shumë komplekse, që përfshin personalitetin e njeriut, por edhe mënyrën se si rritet, dhe sipas disa psikologëve është një lidhje me një intensitet të jashtëzakonshëm kur fëmijët janë thuajse moshatarë, apo kur i përkasin së njëjtës gjini. është një lidhje që nis me ardhjen në jetë të fëmijës së dytë. Kjo është një ngjarje shumë e madhe, sidomos për fëmijën më të madh, që sjell ndryshime në të gjitha raportet e tij me njerëzit që ka përreth, përfshi edhe fillimin e një marrëdhënieje të re me një njeri shumë të rëndësishëm, që si fillim tërheq pas vetes gjithë vëmendjen e familjarëve, e cila deri në atë moment kishte qenë e tija. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, në të cilin prindërit luajnë një rol shumë të madh. Nëse do të jepeshin tërësisht pas të sapolindurit, duke “braktisur” fëmijën e madh, në njëfarë mënyre do t’i hapnin udhë “armiqësisë” së parë mes fëmijëve. Xhelozia e të madhit mund të kthehej në vuajtje dhe kjo do të ndikonte e tëra në marrëdhënien mes fëmijëve në fazat fillestare, por edhe më pas. Ndaj në këtë moment të parë të fillimit të rrugëtimit me dy fëmijë, prindërit duhet që t’ia shpjegojnë në mënyrë të thjeshtë situatën fëmijës më të madh, në mënyrë që ai të kuptojë se përse tani bebja e vogël do të ketë pak më shumë vëmendje. Ndjenja e xhelozisë, apo edhe e vuajtjes në rastin e fëmijës së madh që përballet me largimin e prindërve, është tërësisht e kuptueshme dhe e shpjegueshme. Ajo mund të ridimensionohet vetëm falë punës së prindërve. Sjellja e tyre do të bëjë që xhelozia të ulet dhe të bjerë, derisa të zhduket fare me kalimin e kohës. Rivaliteti mes dy fëmijëve mund të zhduket edhe nëse prindërit do të marrin fëmijën e madh dhe do të shohin së bashku me të fotot e tij kur ishte në moshë të vogël. Një tjetër veprim shumë i rëndësishëm është gjetja e kohës për të qenë sërish vetëm me fëmijën e madh, për të kaluar kohë me të, për të folur dhe për t’ia dëgjuar me shumë vëmendje gjithë ato që ka për të thënë. Në këtë mënyrë ata do të ndiheshin sërish në qendër të vëmendjes dhe jo domosdoshmërish në vendin e dytë. Lejojeni fëmijën tuaj të madh që të përfshihet në përkujdesjen për më të voglin. Duke e bërë pjesë të kontributit të rritjes së të voglit, ai do të fillojë ta dojë dhe të ndihet më përgjegjës ndaj tij. Kjo me kalimin e kohës do të shndërrohet në një ndjenjë proteksioni. që do të zëvendësojë ndjenjën e xhelozisë. Në këtë rast, edhe fëmija i madh nis të piqet dhe të ndryshojë për mirë. Një tjetër kujdes ndaj fëmijës së madh është vërejtja e ndryshimeve të mëdha në rutinë e tij të përditshme për shkak të ardhjes së fëmijës së ri.

Me kalimin e kohës mos harroni kurrë se fëmijët tuaj mund të jenë të ndryshëm shumë dhe nuk ishin ata që bënë zgjedhjen për të jetuar së bashku. Këtë bashkëjetesë, në rast se do të bëhet fjalë për një bashkëjetesë të vështirë, duhet që ta lehtësojnë prindërit, me ndërhyrjet e duhura, me dashurinë e tyre dhe të kuptuarit e rëndësisë së rolit që kanë në të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe mbi të gjitha në ardhmërinë e marrëdhënies. Duke u rritur, ata do të nisin që ta njohim më mirë njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës do ta dinë se cilat janë gjërat që i pëlqejnë dhe që nuk i pëlqejnë vëllait apo motrës. Sigurisht që ky proces i njohjes dhe bashkëjetesës kalon dhe përmes mosmarrëveshjeve, grindjeve, zënkave agresive. Prindërit duhet të arrijnë të kuptojnë se kur kalohet masa. Fëmijët tentojnë që të jenë shumë argumentues për sa u përket veprimeve që bëjnë dhe është e vështirë që të kuptosh se kush kishte të drejtë dhe kush jo. Por edhe pse në dukje të parë mund të mos duket e tillë, konkurrenca mes fëmijëve të së njëjtës familje dhe madje edhe zënkat dhe grindjet mund të jenë shumë më konstruktive nga sa duken në pamje të parë. Ato janë një lloj përgatitjeje që u bën jeta për situatat e së ardhmes, kur tashmë nuk do të përballen vetëm me njerëzit e familjes, por me një botë që në disa raste mund të jetë edhe armiqësore. Ideja e pajtimit nuk u vjen shumë natyrore fëmijëve, sepse vetiu ata janë pak egoistë dhe nuk pranojnë që vëllai apo motra të kenë të drejtë në një zënkë, por me ndihmën e prindërve ata nisin ta mësojnë këtë veti, që është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet njerëzore dhe themelore për paqen në familje. Zënkat mes njëri-tjetrit u mësojnë fëmijëve shumë gjëra në lidhje me bashkëpunimin, ndarjen e përgjegjësive, simpatitë dhe antipatitë, komunikimin dhe shumë veti të tjera që do t’u duhet t’i ushtrojnë dhe t’i përdorin në jetë. E rëndësishme për prindërit është që të zbulojnë shkaqet e vërteta që ndodhen pas grindjes së fëmijëve. Në rastet kur ata janë të uritur, të mërzitur apo të lodhur, janë më shumë të prirur për t’ju futur grindjeve dhe sherreve. Grindja është gjithashtu një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e prindërve. Ata fëmijë që nuk dinë mënyrë tjetër për t’u tërhequr prindërve vëmendjen, do të përdorin instinktivisht grindjen dhe sherrin, dhe në këtë mënyrë vëmendja është e garantuar. Në raste të tilla, prindërit kanë shumë për të bërë dhe kanë shumë në dorë për ta përmirësuar situatën dhe për të bërë që fëmijët të nxjerrin më të mirën prej saj.

Një nga gjërat që fëmijët e kanë të vështirë që ta kuptojnë është ndryshimi në moshë. Një pjesë e madhe e fëmijëve e lidhin moshën me mençurinë, pra ai që është më i vogël nuk është aq i mençur ose i mençur sa vëllai më i madh. Kjo mund të bëhet edhe shkak zënkash dhe pikërisht në këtë mes duhet të futet sërish prindi me mënyrat e tij të qeta dhe t’u shpjegojë fëmijëve situatën. Një nga gjërat më të vlefshme është edhe lavdërimi i fëmijëve kur ata kryejnë një punë mirë, për shembull marrin një notë të mirë, apo kanë ndonjë arritje sado të vogël. Fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj reagimeve të prindërve në moshë të hershme dhe një lavdërim nga ana e tyre është një nxitje e madhe emocionale për të bërë përpara dhe për të nxjerrë më të mirën nga veta.

Psikologë të ndryshëm kanë mendime të ndryshme për sa u përket mënyrave të zgjidhjes së zënkave mes fëmijëve. Ka nga ata që thonë se fëmijët duhet që të lihen të lirë në zgjidhjen e këtyre situatave, ndërsa të tjerë që e konsiderojnë ndërhyrjen e prindërit parësore dhe madje që në fazat e para të zënkës. Nëse do të zgjidhin opsionin e dytë, është shumë e rëndësishme që prindërit të mos mbajnë anën e njërit apo tjetrit fëmijë, sepse mungesa e balancës në këtë rast do të prishte balanca të tjera. Shanset më të mëdha janë që, marrëdhënia që do të kenë fëmijët tuaj me njëri-tjetrin, do të jetë një marrëdhënie e ngushtë dhe pozitive. Veçanërisht në moshën e mesme, vëllezërit apo motrat janë shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin dhe shndërrohen në njerëzit e duhur për të të dhënë siguri, mbështetje dhe qetësi. Sipas studimeve, 80% e këtyre lidhjeve janë të forta e të shëndetshme, si dhe një burim i madh dashurie për gjithë jetën.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›