Fier, 170 ndërtime pa leje kanë mbirë pas nisjes së legalizimeve
Me dhjetëra ndërtime pa leje janë ngritur në Fier edhe pas nisjes procesit të legalizimit. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtori i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Fierit, Sabedin Alliaj. Ai shpjegon së ndërtimet pa leje vetëm brenda vijës së verdhë të qytetit të Fierit shkojnë në 168 të tilla. Ka ende ndërtime pa leje në Fier edhe pas procesit të vetëdeklarimit të tyre për legalizim. Për këto objekte inspektorati ndërtimor ka marrë mjaft ankesa nga qytetarët dhe në disa prej tyre është dashur ndërhyrja që të ndërpritej ndërtimi. Por, shumë nga ndërtimet pa leje kanë prekur edhe investimet në infrastrukturë nga ana e bashkisë. "Ndërtimet pa leje janë kryesisht në zonat periferike të qytetit. Pronarët e këtyre ndërtimeve pa leje kanë ardhur nga zonat rurale apo të thella të rrethit të Fierit, kanë blerë fare lirë trojet dhe kanë nisur të ndërtojnë, edhe pse nuk kanë qenë me dokumente të kompletuara", thotë drejtori i Inspektoratit Ndërtimor të Fierit. Ai tregon se ka pasur shumë sinjalizime për këto raste dhe menjëherë janë bërë ndërhyrjet. "Në disa raste nuk kemi gjetur mirëkuptimin dhe për këtë kemi njoftuar si policinë bashkiake dhe atë të rendit. Mund të jenë rreth 160-170 objekte të tilla në të gjithë periferinë dhe këtu do të ndërhyhet hap pas hapi", tha Sabedin Alliaj. Në bilancin e punës së këtij inspektorati gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009 evidentohet prishja e 200 ndërtimeve pa leje. Objektet e ndërtuara pa leje dhe që janë shembur kanë qenë kryesisht shtesa pallatesh, mure rrethuese, kioska, garazhe etj. Për prishjen e tyre ka vendosur Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë, pasi shumë prej ndërtimeve pengonin zbatimin e projekteve të bashkisë. "Si gjashtëmujor, numri i objekteve që janë prishur i kalon 200. Ne si inspektorat kemi menduar që në radhë të parë të kërkojmë dokumentacionin teknik dhe ligjor që kanë pasur pronarët e këtyre ndërtimeve. Për ata që kanë pasur dosje kemi kërkuar zgjidhjen nga zyrat përkatëse, ndërsa për ata që nuk kanë pasur dokumente kemi vepruar pa mëdyshje", shpjegoi kreu i Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë Fier, Sabedin Alliaj.
Inspektimet dhe kontrollet e këtij inspektorati do të vijojnë dhe premtohet që asnjë ndërtim pa leje nuk do t‘i shpëtojë prishjes aq më shumë që qendra e Fierit ka një strategji zhvillimi dhe i gjithë qyteti ka tashmë një plan zhvillimi të miratuar.
Inspektimet dhe kontrollet e këtij inspektorati do të vijojnë dhe premtohet që asnjë ndërtim pa leje nuk do t‘i shpëtojë prishjes aq më shumë që qendra e Fierit ka një strategji zhvillimi dhe i gjithë qyteti ka tashmë një plan zhvillimi të miratuar.