Vdes në shtyllë elektricisti i OST-së
Profesioni e kishte lidhur me rrymën elektrike dhe nga ajo ka humbur jetën. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Mirakë, rreth 15 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Një punonjës i Operatorit të Sistemit të Transmetimit për Qarkun e Elbasanit humbi jetën rreth orës 11:40 minuta të së dielës. Sipas burimeve policore, 58-vjeçari Petrit Kamami ka humbur jetën aksidentalisht teksa po punonte për pastrimin nga degët e pemëve të përcjellësit të linjës së tensionit të lartë që lidh rajonin e Elbasanit me Shqipërinë Juglindore. Elektricisti i OST-së ka rënë në rrymë dhe për pasojë ka humbur jetën. Nga rënia në kontakt me linjën e tensionit të lartë 58-vjeçari është djegur dhe çdo përpjekje për t‘i dhënë ndihmë ka qenë e kotë. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje, që paraprakisht është konsideruar aksidentale dhe e ndodhur për shkak të pakujdesisë dhe moszbatimit të rregullave të sigurisë teknike. Pak ditë më parë, një elektricist humbi jetën teksa riparonte një linjë të tensionit të mesëm në fshatin Mollas të Elbasanit, ndërsa një tjetër elektricist vdiq disa ditë më parë në Bajzë të Malësisë së Madhe, duke pastruar nga degët e pemëve linjën ndërkombëtare të transmetimit të energjisë elektrike.