E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, roja vullnetare në plazhet e qytetit

Shtohen elementët e sigurisë në det dhe në plazhet e Sarandës. Kjo u bë e mundur falë një programi bashkëpunues mes strukturave të policisë bashkiake dhe qytetarëve, që vullnetarisht kanë marrë përsipër vrojtimin e hapësirës së plazheve publike dhe operacioneve të shpëtimit në rast se do të jetë e nevojshme. Mësohet se në kujdesin e parë të strukturave policore dhe atyre qytetare do të jenë hapësirat e plazheve brenda qytetit të Sarandës, si: Plazhi i Ri, ai i Centralit dhe i Pllakave, për t‘u shtrirë më pas dhe në plazhet e tjera. Remzi Bani, drejtor i policisë bashkiake në Sarandë, thotë për "Shqip" se për shkak të mungesës së fondeve, ky nuk është ende një shërbim i organizuar me profesionistë. "Fakti që ende nuk kemi një shërbim të mirëfilltë, nuk duhet të pasqyrohet te qytetari, që ai të ndihet i pasigurt dhe i rrezikuar nga mbytjet në plazhe. Ndihma drejtohet sidomos për fëmijët e të moshuarit, por edhe për të rinjtë që kanë maninë të largohen shumë nga brigjet, edhe pse mund të mos dinë mirë not. Për t‘ia arritur të instalohet shërbimi i ndihmës ndaj tyre, është një skaf që vrojton plazhistët në ujë", thotë Bani. Por kjo është vlerësuar e pamjaftueshme dhe ka bërë që këtë verë të kontaktohet edhe me persona privatë, të njohur për aftësi të mira notuese e shpëtuese, të cilët kanë ofruar ndihmën e tyre falas në të tri plazhet më të frekuentuara përgjatë brigjeve të qytetit të Sarandës. Rritjes së sigurisë në këto plazhe do t‘i vijë në ndihmë edhe vendosja e një numri telefoni në policinë bashkiake, që është në funksion "non stop" për të gjitha rastet kur do të kërkohet ndihmë. Ai shërben për të qenë pranë qytetarëve dhe pushuesve për të gjitha kërkesat dhe ankesat që ata mund të kenë, por nevoja e parë është ajo e sinjalizimit për ngjarje që lidhen me sigurinë dhe shpëtimin në plazhe. Fatmirësisht, deri tani nuk është shënuar asnjë rast i veçuar i ngjarjeve të tilla. Mendohet se kësaj situate të qetë i ka shërbyer edhe vendosja e kufizuesve të largësive deri në 50 m, që ndihmon pushuesit për të mos u larguar pa kontroll nga bregu, pasi dihet që thellësia e ujërave të detit të Sarandës është e konsiderueshme. Në funksion të rritjes së sigurisë në plazhet brenda qytetit të Sarandës, janë vënë në përdorim dhe disa mjete private me aftësi të shpejta lundruese, sikurse janë ato të llojit "jet-ski". Këto do të përdoren nga persona që kanë pranuar të bashkëpunojnë vullnetarisht me policinë për të mënjanuar ngjarjet tragjike në plazhe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›