E Diel, 1 Nëntor 2026

Punimet në rrugë, radhë të gjata në aksin Plepa-Kavajë

Orë të tëra për të përshkuar aksin rrugor Durrës-Golem, ndërsa firma zbatuese injoron urdhrin kryeministror për punime gjatë orëve të natës. Punimet e tejzgjatura për zgjerimin e aksit rrugor "by pass" Plepa-Kavajë-Rrogozhinë dhe problemet që kanë dalë me shpronësimet në vend kanë pësuar një ngërç, që është kthyer në një makth të vërtetë për të gjithë ata që kalojnë në këtë rrugë kombëtare që lidh Jugun e vendit me Durrësin, Tiranën dhe të gjithë zonën veriore. Ditën e djeshme janë dashur nga 30 minuta deri në 2 orë për të kaluar një aks që nuk i kalon 5 km. Pas së shtunës, edhe e diela ka rezervuar pritje të gjata dhe pamundësi lëvizjeje për të gjithë ata që u janë drejtuar plazheve për të pushuar. Nga një vëzhgim i bërë natën mes së shtunës dhe të dielës u konstatua se punonjësit e firmës nuk i shfrytëzojnë orët e natës kur lëvizja e automjeteve është e ulët dhe vapa nuk ul ritmet e punës. Pavarësisht kërkesës së qeverisë për të punuar me tre turne në veprat publike me qëllim përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin në kohë, këtu situata është krejt e ndryshme. Natën, punonjësit i gjen më së shumti në lokalet buzë rrugës duke shijuar ndonjë gotë, ndërsa tentojnë të vihen në lëvizje kur shohin kamerat televizive. Zgjerimi i rrugës po bëhet i ndarë në tre lote dhe financohet nga buxheti i shtetit. Nga Plepat deri te kufiri ndarës i Durrësit me Kavajën, aty ku është krijuar dhe problemi në trafik, projekti po zbatohet nga firma "Salillari". Ky aks i rëndësishëm rrugor duhej të përfundonte zyrtarisht më 30 qershor, por problemet e shumta që dolën gjatë zbatimit të projektit dhe pezullimet e kanë shtyrë afatin e dorëzimit për një periudhë të pacaktuar, ndërsa ka krijuar pakënaqësi të theksuar te turistët, drejtuesit e automjeteve, por edhe policia rrugore në këtë sezon turistik. Ky aks është mjaft i rëndësishëm, pasi lidh qytetet kryesore dhe zonat e Veriut me plazhet e Shkëmbit të Kavajës, Golemit, ato të Kavajës dhe me të gjithë bregdetin e Jugut. Zbatimi i punimeve nxori në pah një sërë problemesh që nuk ishin marrë parasysh gjatë hartimit të projektit. Mes të tjerash ndërtimi i rrugës ka hasur dhe në kundërshtimin e komunës së Golemit, pasi sjell izolimin e Golemit të Sipërm dhe nuk parashikon mbikalime a nënkalimet e përfshira në masterplanin urbanistik të zonës, duke bllokuar hyrje-daljet në këtë komunë, vështirësuar lëvizjen e njerëzve dhe bllokuar integrimin e dy pjesëve të komunës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›