E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët dhe emigrantët shtojnë aksidentet

Mbingarkesa dhe shkelja e rregullave në qarkullimin rrugor gjatë këtij sezoni turistik shkakton viktimën e radhës. Jeta e një 70-vjeçari është prerë në mes teksa lëvizte në rrugën e fshatit të tij, të kthyer në qendër të vëmendjes së pushuesve pas rehabilitimit të rrugës. Ngjarja e rëndë rrugore ndodhi rreth orës 09:00 të ditës së diel në Hamallaj të Durrësit. Viktima është Hasan Shehi 70 vjeç, banor i këtij fshati. Ai ka qenë në këmbë kur është përplasur nga një automjet tip "Mercedes Benz" me targa DR6998E që drejtohej nga 19-vjeçari Alfred Bardhi nga qyteti i Durrësit, i cili u ndalua deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Bardhi ka qenë duke shkuar për në plazhin e Hamallajt ku do të kalonte të dielën, në kohën që ka përplasur këmbësorin. Aksidentet automobilistike në Durrës janë shtuar ndjeshëm muajin e fundit, pasi dhe fluksi i pushuesve dhe i automjeteve në rrugë është disafishuar, ndërkohë që infrastruktura rrugore ka mangësitë e saj veçanërisht në zonat bregdetare ku mungojnë mbikalimet për këmbësorët. Lidhur me situatën, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës tha se shërbimet e policisë së qarkullimit rrugor, nëpërmjet planizimit të punonjësve me shërbime suplementare, por edhe ardhjes së një numri prej tetë punonjësish të komanduar nga drejtoritë e qarqeve të tjera po synohet menaxhimi i fluksit të madh të automjeteve në zonat e frekuentuara nga pushuesit dhe sidomos akset problematike për aksidente. Është kërkuar që shërbimet policore të intensifikojnë kontrollet ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, drejtojnë mjetet tej normave të lejuara të shpejtësisë, në gjendje të dehur e pa dëshmi aftësie. "Sanksione do të ndërmerren edhe ndaj përdoruesve të tjerë të rrugës që nuk zbatojnë Kodin Rrugor, ndërkohë që po bashkëpunohet me organet e pushtetit vendor për të përmirësuar kushtet e shërbimit për pushuesit, në mënyrë të veçantë në drejtim të sistemit të rrjetit rrugor e sinjalistikës rrugore aty ku mungon ose është dëmtuar", vazhdoi specialistja e komunikimit me publikun. Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit në Durrës kanë humbur jetën në aksidente automobilistike 4 persona dhe janë plagosur rëndë 5 të tjerë.

Rreziku i aksidenteve është rritur edhe në rrugët e rretheve kufitare që po përballojnë këto ditë ardhjen në vendlindje të mijëra emigrantëve me automjetet e tyre. Dy aksidente rrugore kanë ndodhur dje në aksin nacional Korçë-Pogradec. Luan Lici, 52 vjeç nga fshati Bulgarec i Korçës, është përplasur nga një mjet me targa të huaja që lëvizte në të njëjtin drejtim me të. Aksidenti ka ndodhur në orën 6:45 të mëngjesit në afërsi të fshatit Bulgarec kur i dëmtuari po lëvizte me biçikletë për të shpërndarë qumësht në qytetin e Korçës. Lici është goditur nga një mjet furostradë që drejtohej nga një shtetas anglez, por edhe pse përplasja ka qenë e lehtë ai ka humbur kontrollin në drejtimin e biçikletës duke u rrëzuar mbi asfalt. I plagosuri është dërguar me fraktura në gjymtyrë pranë spitalit civil të Korçës. Disa kilometra më tej, në të njëjtin aks të rrugës nacionale, në afërsi të fshatit Vashtmi, një tjetër aksident ka ndodhur gjatë orëve vona të natës duke gdhirë e diela. Mirosh Braholli, 52 vjeç, banor i fshatit Vashtmi, është aksidentuar duke pësuar dëmtime trupore, pasi është përplasur nga një mjet që lëvizte në të njëjtin drejtim me të. 52-vjecari ka qenë me një karrocë të ngarkuar me kashtë dhe pa asnjë sinjal ndriçues. Ka qenë një mjet me targa të Korçës që e ka përplasur në pjesën e pasme karrocën e cila kishte zënë mesin e rrugës. Kjo ka bërë që karroca të dalë nga rruga duke çuar në plagosjen e 52-vjeçarit. Sipas policisë, të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në spitalin e Korçës. Biçikletat dhe karrocat në këtë aks bëhen shpesh shkak për aksidente me pasoja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›