E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, 270 nxënës braktisin shkollën

Plot 270 nxënës të shkollave 9-vjeçare në rrethin e Fierit kanë braktisur shkollën dhe arsimin e detyrueshëm arsimor 9-vjeçar. Më të prirur drejt këtij fenomeni janë nxënësit e shkollave 9-vjeçare, sidomos ata nga klasa e 5-të deri në të 9-ën. Sipas përgjegjësit të burimeve njerëzore, në Drejtorinë Arsimore Rajonale Fier, Ilir Lugaj, konfirmohet se zonat rurale janë më të prekura nga braktisja e shkollës, si dhe popullsia rome e përqendruar në fshatin Baltëz e Levan. Si shkaqe kryesore konsiderohen kushtet social-ekonomike, si dhe mentaliteti në zonat rurale. Nga 270 nxënës që kanë braktisur shkollën për vitin arsimor në vazhdim, mbi 180 i përkasin seksit femër. Po statistikat tregojnë se qyteti i Fierit regjistron rreth 30 nxënës, që kanë braktisur shkollën, kurse 240 të tjerë u përkasin fshatrave, nga ata që ndodhen shumë pranë qytetit e deri në zonat e thella, ku shkollat janë disa kilometra larg nga banesat e nxënësve. "Braktisja e shkollës është një fenomen që ka shkaqe të ndryshme që jo gjithnjë varet nga shkolla, apo dhe nga puna e arsimtarëve. Ka shkaqe mjaft të rënda sociale, probleme familjare, papunësia e prindërve, sëmundje apo dhe të tjera të panjohura nga sektori ynë në arsim. Janë këto arsyet që jemi në shifra të njëjta të braktisjes së shkollës edhe për këtë vit. Më shqetësues për ne si institucion i arsimit është mentaliteti, që në zonat rurale ka lënë vajzat e vogla pa shkollë", thekson shefi i burimeve njerëzore në DAR, Fier, Ilir Lugaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›