Kredia, interesat e larta largojnë biznesin nga bankat
Sektori privat në vend i druhet gjithnjë e më shumë aplikimit për të marrë kredi te bankat e nivelit të dytë. Rritja katër herë radhazi brenda harkut njëvjeçar e normës bazë të interesit me 6,25 për qind, ka ndikuar në rritjen e interesave për kredi në monedhën vendase. Shenjat e para janë dhënë që në muajin dhjetor të vitit që shkoi, ku niveli i kredidhënies pësoi rënie të lehtë, direkt pas rritjes së interesave për lekun, ndërsa kjo gjendje vijoi edhe në muajt e parë të 2008, duke rënduar disi planet e subjekteve private për të investuar. Kështu, dy ditë më parë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konstatoi faktin se niveli i kredidhënies për sektorin privat vazhdon të ketë rënie, duke vendosur në këtë mënyrë për të mos rritur normën bazë të interesit, e cila aktualisht është 6,25 për qind. Edhe te valuta euro vërehet rritje e interesit, falë politikës që ka ndjekur Banka Qendrore Evropiane (ECB), duke e fiksuar normën në 4 për qind. Aktualisht, interesat për kredi që aplikohen nga të 17 bankat e nivelit të dytë në vend shkojnë mesatarisht deri në 14 për qind, ndërsa depozitat rreth 6-7 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti mes kredisë dhe depozitave tek interesat sa vjen dhe ngushtohet. Megjithatë, niveli kreditues në vend ka pësuar çdo vit mesatarisht një rritje prej 50 për qind, ku vetëm për vitin 2007, rritja shënon masën prej 70 për qind. Paçka rënies së kreditimit, për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, vazhdon të mbetet shqetësim fakti i presioneve në inflacion, që mund të vijnë nga qarkullimi i parasë në duart e individëve falë nivelit të lartë të kredidhënies. Në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës theksohet se, "Zhvillimet në treguesit monetarë e financiarë, si dhe ecuria e kursit të këmbimit janë në përputhje me pritjet më të hershme të Bankës së Shqipërisë. Të dhënat flasin për ngadalësim të ritmit të rritjes së agregatit M3 dhe asaj të kredidhënies për sektorin privat. Tregjet financiare kanë shfaqur qëndrueshmëri të normave të interesit, të cilat në pjesën më të mirë kanë përcjellë sinjalizimet e politikës monetare". Këshilli, pasi u njoh me zhvillimet e fundit në ekonomi, vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind.