Fjala e fundit e helenistit
Në proces, 30 vjet pas vdekjes, dalja e veprës monumentale e Tukididit e përkthyer nga prof. Sotir Papahristo. Mbyste hidhërimin nga vdekja e dy të afërmëve të zemrës duke humbur mendjen tek grekërit e vjetër. “Historia e Luftës së Peloponezit” për herë të parë e plotë në shqipe, nga e hartuesi i ligjeve të para të arsimit dhe profesorit të Liceut të Korçës
Tek parathënia e “Antigonës” së Sofokliut e botuar më 1957, shqipëruesi i saj, Sotir Papahristo, komenton, si helenist me përvojë, një nga subjektet për të cilin grekët e vjetër interesoheshin në mënyrë të veçantë, ai që merrej me detyrat ndaj të vdekurve: “Asnjë tjetër s’quhej më e shenjtë, se sa plotësimi i detyrave kundrejt njeriut të vdekur.” Me botimin e plotë të “Historisë së Luftës së Peloponezit” i Tukididit, përkthim nga greqishtja e vjetër i prof. Papahristos, të afërmit, 30 vjet pas vdekjes së tij, me siguri duhet të mërmërisin me veten që po përmbushin një detyrë të shenjtë. Lajmi del nga Ministria e Kulturës e cila ka mbështetur botimin e veprës 700 faqe, pajisur me një parathënie të gjatë nga përkthyesi dhe që pritet të dalë brenda vitit nga “Almera”.
Trashëgimtarja e pasurisë së helenistit – një shtëpi në Korçën e tij të lindjes dhe biblioteka – Vasilika Petrela, e cila ndoqi procesin e botimit të parë, tregon, si ndodhi që më 1986 vepra monumentale të dilte me tirazh 2000 kopje, si rrallë herë tirazhet e “Naim Frashërit” dhe që u përpinë sa hap e mbyll sytë.
“Historia e Luftës së Peloponezit” – konflikti i armatosur ndërmjet Athinës dhe Peloponezit, i dokumentuar nga Tukididi, një gjeneral athinjot, nisi më 431 para Krishtit, zgjati 27 vjet, me 6 vjet armëpushim dhe përfundoi me dorëzimin e Athinës në vitin 404 – përbëhet nga tetë libra, por botimi i vitit 1986 ishte gjysmak. Papahristo kishte vdekur tashmë, i qetë, ngaqë në shtratin e vdekjes i thanë, se “Historia” ishte botuar në Prishtinë. Ishte një “gënjeshtër e bukur” e Eqrem Çabejt që miku i tij të mbyllte sytë në paqë.
Duke u ndalur edhe një herë tek plotësimi i detyrave ndaj të vdekurit, veçojmë një pjesë nga “Antigona”, pikërisht atë që kishte zgjedhur Papahristo për të ilustruar ndoshta, me një shenjë të tillë, influencën që ka në jetën mbi tokë vdekja e të afërmëve. Ajo o të fut nën dhe për së gjalli o të ngre në qiejt ku vetëm dhimbja e madhe të shpie për të gjetur, nëse ka shpresë, ato kuptime të botës dhe njeriut që marrin të dashurit me vete andej përtej. (Tek “Dëshirat e mia të fundit” që po e botojmë për herë të parë ai lë amanet që të varroset pranë të birit.)
Papahristo veçonte këtë himn të Sofokliut për njeriun:
“Bota është plot çudira,
po çudia më e madhe
nga të gjitha ësht njeriu;
ky, kur era fryn furishëm,
detin çan të shkumbëzuar,
duke shkuar nëpër valët
që buçasin an’ e mbanë.
........................................
Ky ka gjetur mjet shpëtimi
Nga sëmundjet fort të rënda;
vdekjen vetëm nuk e mundi
as që do ta mundë kurrë”.
Në të vërtetë, këtë parathënie, pa vënë asnjë shënim mbi ose nën të, Papahristo ia kushtonte të birit, Aminda, që i vdiq 16-vjeçar, më 1947. U sëmur duke punuar në hekurudhën Durrës-Elbasan.
Helenisti i kishte shërbyer atëherë këtij vendi dhe vazhdoi t’i shërbejë deri në ditën kur përktheu faqen e fundit të “Historisë” së Tukididit. Plot 56 vjet detyra të dobishme si profesor dhe si shkrimtar. Qysh më 1912 kur u kthye nga studimet në Universitetin e Athinës (1907-1912), Fakulteti i Filologjisë, nisi aktivitetin si arsimtar (kësaj fjale sot i është rrudhur tej mase kuptimi) në Korçë në gjimnazin e atyshëm ku për 10 vjet dha lëndë mësimore Greqishten e Vjetër, Latinishten dhe Historinë. Në kohën e Koço Kotës kryeministër, më 1925 (Zogu president) zuri vendin e Mihal Sherkos, Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit (Ministia e Arsimit ishte suprimuar nga Qeveria e Nolit). Tek ky post me anë të ligjeve, rregulloreve, programeve hodhi baza të arsimit, duke pasur krah Aleksandër Xhuvanin, Mirash Ivanajn etj. Shumë shpejt dha dorëheqjen për shkak të mosbashkëpunimit të qeverisë, për shkak të presioneve të deputetëve anadollakë që “kërkonin bursa për miqtë e tyre” dhe që e detyronin “të veproja kundër ndërgjegjes sime”.
U kthye paskëtaj, drejtor administrativ në Liceun franko-shqiptar të Korçës. Ka hartuar ndërkohë tekste për shkollat fillore dhe të mesme, një Gramatikë origjinale të greqishtes së vjetër dhe një Sintaksë të saj. Më 1933 deri në pushtimin fashist ishte drejtor në Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë”. Prej atëherë deri në çlirimin e vendit, profesor në gjimnazin e Tiranës. Njëzet vitet e ardhshëm e gjejnë nëpunës në Institutin e Studimeve Shqiptare (Instituti Shkencavet), bashkëpunëtor i Fakultetit të Historisë e Filologjisë. Në këtë hark kohe kishte përkthyer nga greqishtja në shqipe arkivin e Institutit të Shkencave, nga historianët grekë dhe romanë pjesët që flasin për Shqipërinë, të gjitha dramat e Eskilit, Sofokliut, 6 drama nga Euripidi, 4 komedi nga Aristofani, “Poetikën” e Aristotelit, “Fjalët e urta të Pitagorës”.
Në autobiografinë e shkurtër që ai ka lënë (e pabotuar), shkruan që “dramat e komeditë ndodhen të daktilografuara në zyrën përkatëse të Ndërmarrjes së Botimeve “Naim Frashëri” të Tiranës. Për të shumtat kam kopje në bibliotekën time. Teksti i Tuqidhidhit bashkë me hyrjen dhe “Jetët paralele” të Plutarkut ndodhen në zyrën e Institutit të Historisë –Gjuhësisë, ca janë të daktilografuara, ca janë dorëshkrime.”
Ky njeri e përktheu “Historinë” e Tukididit në vitet e fundit të jetës, i shtyrë nga një motiv i fortë: “Punoja për të zhdukur disi hidhërimin shpirtëror nga një fatkeqësi e madhe që më ndodhi”, nga humbja e së shoqes Evdhoksi.
Sërish një dhimbje e madhe që çon drejt një vepre të madhe. Pastaj historia njerëzore ka dëshmuar se kështu ka funksionuar. Megjithë pengesat dhe muret e lartë që njerëzit kanë ngritur për të penguar njëri-tjetrin, deri në nivelin e një force madhore të natyrës.
Në këtë rast është fjala për injorimin që i kanë bërë dy veprave monumentale të antikitetit institucionet tona në shkencës, “Jetë paralele” të Plutarkut që u botua e plotë vetëm më 2006 dhe së fundi “Historia e Luftës së Peloponezit”, të cilat Instituti i Historisë i varrosi në arkiva. Këto dy vitet e fundit ndodhi që u denoncua një i marrë i cili kishte marrë “Poetikën” e Aristotelit i kishte hequr emrin Sotir Papahristos dhe i kishte vënë emrin e vetë, një emër fantazme. Edhe më do të ndodhnin nëse nuk do të ndërhynin dhe të plotësonin trashëgimtaret detyrën ndaj të ndjerit.
------------------------------------------------------------Trashëgimtarja e prof. Papahristos, Vasilika Petrela, tregon për botimin gjysmak në vitin 1986 të Tukididit dhe kujtimet për të atin
“Na thoshin s’kemi letër”
Përse tani botohet e plotë “Historia e Luftës së Peloponezit”?
Babai ka patur ëndërr që të botohej “Historia e Luftës së Peloponezit” dhe biografitë e Plutarkut. Ka qenë një kalvar. E përcillnin me gënjeshtra. Bëhet fjalë për vitet 70. Kishte 7 vjet që luftonte për botimin e “Historisë” së Tukididit.
Çfarë arsyesh i jepnin?
Nuk është aktuale, s’është në përputhje me vijën e partisë dhe një seri pretekstesh. Mes të tjerash ndonin ta botonin me kushtin që t’i hiqeshin disa libra “Historisë”. Babai nuk pranoi. Tani do t’ju tregoj një episod shumë interesant dhe prekës. Babai kishte miqësi të madhe me prof. Çabejn. Mendoni që kur vinte Çabej flisnin të dy latinisht. Kishe qejf të shikoje dy figura të mëdha që flisnin latinisht.
Para se të vdiste babai (1979), shoh Çabejn që ngjit shkallët nga e dy e nga dy dhe më tha: Lika kam ardhur për një gënjeshtër të dobishme. Hyn brenda dhe i thotë: Kam ardhur për një lajm të gëzuar. Do botohet në Kosovë, Tuqiditi dhe Plutarku. Babai ngrihet nga shtrati, i puth dorën: Ah, mor Eqrem, ç’më gëzove mua ti.
Iu shtuan dy ditë jetë kur e prisnim të vdiste. Ai me atë gëzim vdiq.
Në lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve iu bënë homazhet. Të pranishëm ishin edhe Nexhmije Hoxha dhe Behar Shtylla, që babai i ka pasur nxënës, njërin në Liceun e Korçës, tjetrën në Institutin “Nana Mbretëreshë”. Çabej priti rastin dhe tha që me vdekjen e Sotir Papahristos s’ka helenist më në Shqipëri, dhe tregoi gënjeshtrën dhe pengun e madh që kishte babai për të botuar këto dy vepra. Aty Behar Shtylla premtoi botimin e të gjitha veprave të babait.
Çfarë ndodhi?
Ndodhi që mbas pak kohësh vjen dikush nga Komiteti Qendror të më takojë dhe me urdhër nga ky komitet më kërkojnë veprat e babait, së bashku me “Luftën e Peloponezit”. Personi që merrej dhe jepte direktiva për këtë punë ishte Androkli Kostallari. Vepra u botua jo e plotë duke shkelur mbi amanetin e njëtë vdekuri.
Tani që erdhikjo ditë dhe plotësohet amaneti i babait jam e gëzuar.
Ju keni ruajtur të gjitha dorëshkrimet e Papahristos?
Po, por një pjesë kanë mbetur tek “Naim Frashëri”.
Çfarë marrëdhëniesh ka pasur me ish- nxënësit e tij, që do të bëheshin vetë profesorë dhe sidomos me ata që u veshën me pushtet, si p.sh Enver Hoxha.
Në kohën kur babai ka qenë drejtor në Liceun e Korçës, tregon se kur u mbyll gjimnazi i Gjirokastrës atëherë nxënësit erdhën në Korçë. Të gjithë thotë ishin të prapë, bënin marrëzira, jo të disiplinuar, i vetmi që nuk ndihej ishte Enver Hoxha. Mirëpo një ditë, kur drejtori francez i liceut që jepte histori pati një debat me këtë si nxënës, doli nga klasa dhe i thotë babait. Zoti Papahristo. Është një Enver Hoxha aty, keni për t’ia dëgjuar zërin më vonë.
Dua të shtoj që, i brumosur me parimet e grekëve të vjetër, ai jetonte me parimin që të mos merrej me politikë. E urrente politikën. Edhe në kohën e regjimit, nuk u bë kurrë oportunist.
Keni parasysh ndonjë rast të veçantë me këtë që thoni?
Familjes sonë i ndodhi një fatkeqësi në vitin 1947. Më ka vdekur një vëlla në moshën 16 vjeç. Kjo e vrau shumë babanë. Kur u botua “Antigona” parathënien që bëri ia dedikoi të birit dhe kjo tingëllonte sentimentale për atë kohë. Në ribotimin e “Antigonës” e thirrën babain dhe i thanë: dëgjo, parathënie si kjo që ke bërë ti, ne nuk na shkojnë, prandaj duhet ta ribësh tani me frymë marksiste.
Më vjen keq u tha babai, po unë marksizmin nuk e njoh fare. Po atëherë na lejon që ta bëjë ndërmarrja e botimeve? Patjetër tha.
Kush i trashëgon librat e tij?
Librat m’i la mua. Unë jam trashëgimtarja. Kur të mos jem më, patjetër që Donika (mbesa) do t’i trashëgojë, unë jam 81 vjeçe. Më kujtohet që kemi pasur në shtëpi një enciklopedi shumë të madhe dhe shumë të vlefshme që e shitëm kur vdiq im vëlla, ishim keq nga ana ekonomike. Nuk di të them se kujt ia shiti, por më duket bibliotekës, më 1947.
Biblioteka është vetëm me libra greqisht, që fatkeqësisht unë nuk di asnjë fjalë.
Si ishte vdekja e profesorit?
Shumë e qetë. Ishte vdekja e mamasë sime që e kishte tronditur shumë. Ai jetoi 14 vjet pas saj. Jeta bashkëshortore e tyre është shembullore. Atë kujtim që kemi ne fëmijët për lidhjen që kishin ata, është një gjë e habitshme. Nëna, Evdhoksi, kishte bërë një shkollë greke, nuk kishte ndonjë kulturë të madhe dhe babai thoshte: mos më shikoni mua, por mamaja ka një zgjuarsi natyrale, edhe është aq e mirë sa e quante ëngjëll. Dhe në fakt ashtu ka qenë.