E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, 8 mijë automjete me taksa të papaguara që nga viti 2000

Abuzimi Mes debitorëve janë shumë institucione shtetërore dhe kompani publike. Edhe ambulancat janë pa “letra”

Rreth 8 mijë automjete nuk kanë paguar taksat dhe detyrimet e tjera ndaj Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Fier. Një pjesë e mirë e këtyre mjeteve u përkasin institucioneve shtetërore. Bëhet fjalë për taksa të papaguara që nga viti 2000. Kreu i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit në Fier, Luan Baçi, jo vetëm që ka publikuar listën me emrat e debitorëve, por ka deklaruar se në bazë të urdhrit të qeverisë ka nisur bllokimin e procedurave të targimit për shumë institucione që rezultojnë debitore.

“është një numër i madh makinash që nuk kanë paguar taksat dhe detyrimet e tjera pranë institucionit tonë. Bëhet fjalë për 8 mijë të tilla. Ndër institucionet shtetërore që u janë shmangur detyrimeve është Bashkia Patos, kompania e naftës “Albpetrol”, si dhe dhjetëra komuna në Fier, Lushnjë dhe Mallakastër. Në këtë listë hyjnë edhe Ndërmarrja e Ujësjellësit, Spitali Rajonal i Fierit dhe ai i Lushnjës”, tha Luan Baçi.

Ai sqaron se kompania “Albpetrol” ka numrin më të madh të makinave me taksa të papaguara, ndërsa Bashkia e Patosit nuk ka paguar detyrimet për gjashtë mjete.

“Kompania ‘Albpetrol’ ka 22 makina të tonazheve të ndryshme, për të cilat nuk ka paguar taksat që nga viti 2000. Shifra e borxhit shkon në disa milionë lekë. Specifika e makinave të kësaj kompanie lidhet me tonazhin e makinave, i cili në disa raste është shumë i madh e për rrjedhojë edhe taksat janë të larta, përfshi këtu edhe kamatën për vitet që nuk janë paguar”, sqaroi drejtori Luan Baçi.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit të Transportit në Fier pohoi se ka njoftuar zyrtarisht të gjitha institucionet debitore. “Në njoftimin institucional u është bërë i ditur edhe vendimi i Këshillit të Ministrave. Gjithashtu u është bërë i ditur edhe vendimi i bllokimit të çdo shërbimi për këto ndërmarrje deri në nisjen e procedurave të pagimit nga ana e tyre. Shuma e pavjelë nga taksat e këtyre makinave është e madhe dhe kjo do të rrisë së tepërmi treguesit financiarë të drejtorisë sonë”, tha Luan Baçi.

Me automjetet që posedohen nga privatët, Drejtoria e Targave në Fier e ka më të lehtë, pasi me anën e task forcës ka mundur që të bllokojë disa prej tyre, ndërkohë që një aksion pritet të zhvillohet ditët në vijim për këtë qëllim.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›