Jerusalem, ditë përleshjesh e dhune
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, George Mitchell, e ka shtyrë një vizitë që e kishte planifikuar në Izrael pas situatës së rënduar, për shkak të ndërtimeve të reja që duan të bëjnë hebrenjtë në Jerusalemin Lindor. I dërguari i posaçëm duhet që të ishte takuar me Presidentin e vendit, Peres, por tashmë udhëtimi është shtyrë për një periudhë të pacaktuar kohe. Pikërisht njoftimi për ndërtimin e mëtejshëm të shtëpive në Jerusalemin Lindor ka shkaktuar edhe një përkeqësim të madh të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit. Ndërkaq, në Jerusalem dita e djeshme ka qenë një ditë shpërthimi dhune mes hebrenjve dhe palestinezëve. Për sa i përket Mitchell, ai duhet që të ishte në Izrael në përpjekje për të rivendosur linjën e bisedimeve të paqes mes palestinezëve dhe hebrenjve. Ky rinovim i bisedimeve u pranua nga të dyja palët para vizitës së zëvendëspresidentit amerikan në Izrael, Biden. Për sa i përket situatës në Jerusalem, palestinezët ishin ata që i shtuan protestat në shenjë mospajtimi me planin e fundit të qeverisë hebrenje. Arabët kanë hedhur gurë ndaj policisë dhe janë përplasur me të pikërisht në tokat e Jerusalemit Lindor, që është një zonë të cilën hebrenjtë e kanë marrë gjatë luftës së vitit 1967 së bashku me Bregun Perëndimor. Policia është kundërpërgjigjur me shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Rreth 40 palestinezë janë çuar në spital për të marrë ndihmën e shpejtë pas trajtimeve të ashpra të policisë hebrenje. Ky shpërthim i fundit i dhunës është një sfidë tjetër ndaj përpjekjes së fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të rinisur bisedimet e paqes mes palestinezëve dhe hebrenjve, bisedime të cilat u ndërprenë në dhjetor të vitit 2008, por që kishin shumë të ngjarë që të rinisnin së fundi.
Ndërkaq, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli janë në një pikë shumë kritike të marrëdhënieve të tyre, në këto 35 vitet e fundit. Kjo ftohje ndodhi pasi pikërisht gjatë vizitës së zëvendëspresidentit amerikan Biden në Izrael në lidhje me mundësinë e rifillimit të bisedimeve të paqes, hebrenjtë deklaruan se kishin ndërmend që të bënin ndërtime shtesë në Jerusalemin Lindor. Ky hap do të thotë shumë qartë se hebrenjtë as që e kanë ndër mend pranimin e zgjidhjes me ndarjen e Jerusalemit si kryeqytet. Natanjahu, që është Kryeministër i Izraelit, deklaroi se i vinte keq që shpallja për vazhdimin e ndërtimeve ndodhi ditën e vizitës së Bidenit, por, nga ana tjetër, tha se nuk do të ndryshonte asnjë fjalë nga synimi i qeverisë së tij për të vazhduar me ndërtimet.
#