E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Rama tenton të luftojë korrupsionin, pa iu përgjigjur akuzave ndaj tij

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, kryetarin e Bashkisë së Tiranë, Edi Rama për përfshirje në korrupsion me lejet e ndërtimit. Ai ka sjellë fakte dhe emra konkretë që vërtetojnë implikimin e Ramës në afera korruptive. "Kryetari i PS në programin që ka shpallur para një jave, thotë që unë do të vazhdoj të luftoj korrupsionin. Si do të luftojë korrupsionin ky njeri, ndërkohë që ka akuza publike të cilave nuk i është përgjigjur kurrë, deklaroi Olldashi. Ministri i Transporteve, foli dhe për luftën kundër krimit të organizuar në Fier, ku sipas tij në katër vite qeverisje të të djathtëve, janë asgjësuar mbi 200 banda kriminale, ku veçoi faktin se Partia Demokratike që nga viti 2005 i ka shpallur luftë korrupsionit. Këto deklarata Olldashi i bëri gjatë një takimi që zhvilloi me banorë të komunave Aranitas, Gjerbës e Ngracan në rrethin e Fierit. Duke folur për investimet e kryera deri tani në këtë rreth, Olldashi nënvizoi faktin se investimet arrijnë në 6 miliardë euro. Sipas tij grafiku i investime është dhjetë herë më i lartë se në vitin 2004 kur qeverisnin kundërshtarët e tyre politikë, socialistët. Por këto nuk janë akuzat e vetme, që ministri i Transportit Olldashi ka hedhur ndaj Ramës. Para disa ditësh, ministri Olldashi nga komuna e Libofshës në rrethin e Fierit, ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës e njëkohësisht të Partisë Socialiste për rritje të taksave duke vënë theksin tek ndryshimi mes politikave që sipas tij ofrojnë mazhoranca dhe opozita. Ai ka mbingarkuar të gjithë qytetarët me taksa dhe po kërkon të vendosë një taksë të çuditshme; cilido që do të hyjë në Tiranë duhet të paguajë taksë tek Edi Rama, akuzoi Olldashi, duke theksuar se Tirana nuk është pronë e Edi Ramës, por kryeqyteti i këtij vendi dhe është pronë e të gjithëve. Ndër të tjera, ai theksoi se rritja e taksave nga Bashkia e Tiranës është modeli që mishëron kryetari socialist dhe opozita e udhëhequr prej tij. Gjithashtu disa ditë më parë, Olldashi në komunat Greshnicë, Fratar dhe Kutë të Mallakastrës dhe Ballshit ka akuzuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën si person me lidhje kriminale, të cilat kërkon ti përdorë në fushatë. Ai u shpreh i vendosur se askush nuk do ta lejojë Edi Ramën të përdorë kriminelë në fushatën elektorale, sepse edhe nëse ndonjë i tillë ka mbetur rrugëve, ai do të shkojë atje ku ka vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›