E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kume: Zbardhja e financimeve përfundon në muajin nëntor

Zbardhja e financimeve të partive politike do të zgjasë më shumë nga sa është menduar. Sipas procedurave që parashikon ligji, verifikimi nis 45 ditë pas zgjedhjeve ose në mes të muajit gusht dhe përfundon në muajin nëntor. Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, vërejti dje se "ligji jep një hapësirë të gjatë kohore për t‘i dhënë fund hetimit, duke bërë që zbardhja e anës financiare të fushatës të jetë gati vetëm në mes të nëntorit". Në të njëjtën kohë, zbardhja e financimeve të fushatës elektorale është një ndër çështjet më të debatuara të procesit zgjedhor, jo vetëm për politikën shqiptare por për strukturat monitoruese të Bashkimit Europian. Vonesat për verifikimin e financimeve mund të japin një ndikim sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo në rastin se BE merr parasysh kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim. Zbardhja e financimeve të partive është një prej kushteve kryesore. Për shkak të vakumeve që ekzistonin në kodet e mëparshme dhe ku KQZ pranonte se nuk mund t‘i shkonte deri në fund verifikimit të plotë, këtë herë ligji ka mirëpërcaktuar detajet e këtij procesi dhe është sërish vullneti i partive ai që mungon. Sipas Kodit Zgjedhor, shuma që çdo person fizik ose juridik mund t‘i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime. Në rast se subjektet politike shkelin dispozitat për financimin e fushatës, ndëshkohen me gjobë nga 50000 deri në 100000 lekë.

Ndërsa mosbashkëpunimi me auditin e KQZ-së nga ana e subjektit zgjedhor dënohet me gjobë nga 1000000 deri në 2000000 lekë.

Në rast se subjektet refuzojnë për të bërë transparente burimet e financimit të fushatës, apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e auditit, dënohen me gjobë nga 2000000 lekë deri në pezullimin për pesë vjet të financimit për partinë politike. Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga subjekti zgjedhor

ndëshkohet me një gjobë të barabartë me vlerën 10 për qind të vlerës mbi kufirin e lejuar të shpenzimit, sipas nenit 90 të këtij kodi. Sakaq, çdo subjekt zgjedhor është i detyruar që të

regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen

me identifikimin qartë të dhuruesit, ndërsa dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet ta kalojë dhjetëfishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas nenit 87 të këtij kodi. Në proceset e mëparshme zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar se nuk ka pasur rol thelbësor në hetimin e financimeve të fushatës, ndaj me këmbënguljen e ndërkombëtarëve, Kodi Zgjedhor ka bërë këtë herë parashikime më të forta për t‘i detyruar partitë politike që t‘i binden ligjit, por edhe të ketë një tavan shpenzimesh.

Shpenzimet e fushatës,

SOROS e IDRA monitoroi për herë të parë

Partitë politike janë monitoruar për shpenzimet e fushatës elektorale nga Fondacioni SOROS, në bashkëpunim me IDRA-n dhe Forumin e Mendimit të Lirë. Shumë shpejt do të paraqitet një raport për pesë parti politike PD, PS, LSI, PR dhe G99. Procesi i monitorimit bëhet për herë të parë në Shqipëri.

Në vend, fushata do të monitorohet edhe për shpenzimet e fushatës. Partitë politike janë survejuar sesa para kanë shpenzuar dhe a përputhen fondet që ato marrin nga buxheti i shtetit dhe donatorët e ligjshëm. Tema e financimit të partive ka qenë gjithmonë një temë delikate, e cila, megjithëse është përfolur shumë kohët e fundit, nuk ka gjetur një zgjidhje të mirëfilltë dhe të qartë. Partitë politike vazhdojnë të fshehin të ardhurat e tyre, duke mos u treguar transparente në këtë proces. Në fillim të fushatës, Fondacioni SOROS deklaroi se do të monitorojë të ardhurat që pesë partitë më të rëndësishme në Shqipëri do të përdorin për spotet publicitare, mitingjet dhe tubimet elektorale që do të bëjnë në Tiranë dhe rrethe.

Kontrolli

Auditi nis 45 ditë pas zgjedhjeve

Ekspertët kontabël do të përpilojnë raportin hetimor

Për herë të parë në Kodin Zgjedhor është sanksionuar ngritja e një grupi auditi, i përbërë me ekspertë kontabël, që do të bëjë verifikimin dhe zbardhjen e të gjitha shpenzimeve të subjekteve politike gjatë fushatës elektorale.

Neni 91 i Kodit Zgjedhor parashikon se jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor, KQZ-ja emëron me short një apo më

shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur përmes një procedure të caktuar. Në bazë të punës së tyre, raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit, por ai nuk mund të përfshijë të dhëna

personale të dhuruesve nën vlerën e parashikuar në pikën 1 të nenit 90 të këtij kodi. Kodi Zgjedhor detyron subjektet zgjedhore se duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të

emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokument apo të dhënë që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore. Ndërsa KQZ-ja mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.

Më pas, KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse.

Ligji parashikon se mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë kre nga subjektet zgjedhore apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është kundërvajtje. Ndërsa neni 92 parashikon se si bëhet përzgjedhja e auditëve nga KQZ-ja.

KQZ-ja përzgjedh me konkurrim një listë të ekspertëve kontabël të

licencuar në fillim të vitit zgjedhor. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në pesë vitet e fundit. Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimi i tyre përcaktohen me udhëzim të KQZ-së. Në çdo rast një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi.

Detyrimi

OSBE-ODIHR: Zbardhi financimet e dyshimta

Raportet e misioneve monitoruese të Bashkimit Europian i kanë vënë pikat mbi "i" sa i përket çështjes së shpenzimeve marramendëse të fushatës elektorale dhe prejardhjes së tyre, në një kohë kur e kalojnë shumën që u jepet subjekteve politike nga shteti. OSBE-ODIHR, në proceset e kaluara, e ka vënë shpesh theksin te fakti që burimet e financimit janë të dyshimta ndaj duhet bërë një verifikim i qartë. Sakaq, në 19 vite tranzicion nuk ka pasur asnjëherë kontroll mbi këtë çështje, ndaj zbardhja e tyre është një kusht më vete në integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet ta kalojë dhjetëfishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas nenit 87 të këtij kodi. Çdo shpenzim i kryer për fushatën zgjedhore dokumentohet dhe kryhet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi.

Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë

duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare

të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›