E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, Kontroll klinikave dhe laboratorëve privatë

Tashmë nuk do të jetë një, po dy instanca që do të ushtrojnë kontrolle në klinikat dhe laboratorët privatë të Fierit. Nëndrejtoresha e DSHP-së bën të ditur se me kalimin e kompetencave të licencimit në Drejtorinë e Shëndetit Publik, kontakti me subjektet private, që operojnë në fushën e shëndetësisë është i drejtpërdrejtë dhe mundësia për të abuzuar me kriteret për licencim është reduktuar. Sipas Shpëtime Kalemit, nga kontrollet e DSHP-së janë konstatuar shkelje dhe kjo e fundit ka vendosur gjoba në disa klinika private.

"Gjobat variojnë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë, ndërsa në aktet e shkeljeve të rënda komisioni përkatës në këtë drejtori ka të drejtë të heqë licencën e ushtrimit të aktivitetit. Janë komisioni i inspektimit dhe ai i dhënies së licencave ata që tashmë do të bëhen kontrollorë. Subjektet private në shëndetësi duhet të kalojnë dhe plotësojnë kritere të forta. Që nga fillimi i vitit kemi licencuar 5 subjekte, ndërsa në total numri i subjekteve private në shëndetësi me gjithë farmacitë arrin në mbi 115 në rrethin e Fierit", ka vijuar Kalemi.

Sipas të dhënave të DSH-së, shërbimi mjekësor privat paraqitet në kushte të mira, por ajo që vlen të theksohet është se përpara kalimit të kompetencave të licencimit në Drejtorinë e Shëndetit Publik, subjektet janë licencuar edhe duke fshehur apo deklaruar kushte që nuk janë reale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›