Kapet i kërkuari për vjedhje me armë
Një i kërkuar nga policia për grabitjen me armë të një studenti është arrestuar paraditen e djeshme në Tiranë, ku fshihej prej dy vitesh. Policia e kryeqytetit deklaroi se ka vënë në pranga Sokol Sylajn, i dënuar në mungesë me 3 vjet e katër muaj burg. Sipas dosjes penale, këtë vepër penale e ka kryer në bashkëpunim me Endrit Demushin. Por, në kohën që zhvillohej gjyqi, që në vitin 2006 e deri sa është dhënë vendimi, Sylaj ka qenë në arrest shtëpiak. Në momentin e dënimit, ai është arratisur, për t‘u prangosur ditën e djeshme gjatë një operacioni të zhvilluar nga specialet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në dosjen penale deklarohet se pikërisht më 18 maj të vitit 2006, rreth orës 23:40, shtetasi Briland Boshnjaku po kthehej nga Qyteti Studenti drejt banesës së tij në bulevardin "Zogu I". Pak para se të dilte në Rrugën e Elbasanit, Boshnjaku është ndaluar nga tri persona, ku njëri prej tyre mbante pistoletë në dorë. Fillimisht mes tyre janë shkëmbyer fjalë dhe në vijim të kërkesës për t‘u dhënë celularin, Boshnjaku u është përgjigjur negativisht. Sipas organit të akuzës, në këtë moment, dy të gjykuarit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke i shkaktuar plagë të ndryshme dhe kanë arritur t‘ia marrin celularin. I dëmtuari i ka ndjekur nga pas dhe ka kërkuar ndihmë. Në Rrugën e Elbasanit ai është ndeshur me një automjet të Policisë së Shtetit dhe më pas nga shërbimet e gatshme është bërë ndalimi i tri personave, mes të cilëve dy të gjykuarit. I treti, i cili është Rinor Osmani, i ndaluar nga forcat e rendit së bashku me dy shokët e tij, nuk është akuzuar për kryerjen e ndonjë vepre penale, pasi është arritur në përfundimin se ai ka tentuar t‘i ndajë personat që ishin duke u zënë. Në momentin e ndalimit, Endrit Demushit i është gjetur celulari tip "LG" i Briland Boshnjakut. Në këto kushte, dy të gjykuarit janë dënuar me nga 3 vjet e katër muaj burg. Demushi ishte i arrestuar në atë kohë, por Sylaj kishte mundur të arratisej nga "arresti shtëpiak".