E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, Meta: Doktori në botën e çudirave, aleanca jonë 80 mandate më 23 qershor

FIER- Lëvizja Socialiste për Integrim çeli sot fushatën e saj në qytetin e Fierit ku prezantoi edhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Lideri i LSI-së Ilir Meta u shpreh i bindur se fierakët do dinë t’i japin fund më 23 qershor politikës së baltosjes dhe përrallave të doktorit në botën e çudirave, siç i quajti ai deklaratat e bëra në kryeministri Berisha.

“Edhe sot myzeqarët dhe shqiptarët të lodhur nga politika e moçalit dhe baltosjes besojnë tek Shqipëria e shanseve të barabarta dhe e integrimit. Jemi këtu për të shëruar plagët e papunësisë, të luftojmë polarizimin dhe varfërinë, të arsimojmë të rinjtë, prandaj më 23 qershor, Feri, Lushnja, Mallakastra dhe të gjithë shqiptarët do t’i japin fund përrallave të doktorit në botën e çudirave sepse fierakët dhe shqiptarët duan një lidership qe nuk shikon përralla për që e shikon realitetin në sy, për të ecur më shpejt në rrugën e mirëqenies”, tha Meta.

Sipas tij, fierakët, duan një qeveri që i jep fund ushqimeve me lista, një lidership që t’i udhëheqë drejt integrimit dhe jo drejt izolimit.
“Fierakët duan një lidership që nuk mendon për grabitjen e zgjedhjeve të ardhshme por për gjeneratat e së nesërmes, jo një lidership që ndryshon sloganet, por një lidership që ndryshon faqen e Fierit, Mallakastrës e gjithë Shqipërisë”, tha Meta më tej.

Meta premtoi në Fier se LSI-ja është forca që siguron rotacionin e sigurt më 23 qershor.
“Ne sot jemi më shumë dhe më të bashkuar sepse LSI është siguri për rotacionin e sigurt të 23 qershorit. Ne nuk mbjellim urrejtje, ne ngremë ura bashkëpunimi mes shqiptarëve. Kemi vizion dhe energji të çlirojmë potencialet e fjetura, të ecim drejt një modeli ekonomik që sjell punësim, nxit investimet vendese dhe të huaja”, tha Meta më tej.

Kreu i LSI duke besuar në votën e Fierakëve për LSI, tha se “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do fitojë 80 mandate të sigurta me të cilat do qeverisë Shqipërinë.

“Aleanca për Shqipërinë Europiane do fitojë 80 mandate më 23 qershor. Aleanca jonë do arrijë një nga fitoret më të mëdha në qarkun e Fierit. Jam i lumtur që e shoh Fierin të kuq dhe i bindur se Feri dhe fierakët duke votuar për LSI votojnë me bindje të plotë se kështu do ecet më shpejt drejt së ardhmes evropiane”, tha Meta. 

Duke u ndalur tek gjendja e rënduar, në të cilën ndodhet sot bujku shqiptar, Meta shtoi se qeveria e sotme ka ofruar thjesht lëmoshë për ta.
“Bujku sot është i shpërfillur nga qeveria, kanë frikë se prodhimi iu kalbet pa u shitur. Buxheti i shtetit për ta sot është thjesht lëmosh, ne do i japim prioritetin e duhur, shtojmë grantet dhe subvencionet, kredi agrare me interesa 3%”, shtoi Meta.

Ndër të tjera ai nënvizoi se LSI është e angazhuar të çlirojë potencialet e turizmit në bregdetin e qarkut të Fierit. “LSI do ulë me 10% TVSH për shërbimet turistike”, tha ai.

Meta shtoi se ne, “Nuk duhet të pranojmë të jetojmë si njerëz të varfër sipër një toke të pasur”. “Duhet një lidership që menaxhon pasuritë e nëntokës me transparencë duke punësuar minatorë e naftëtarë, jo duke i lënë në rrugë si sot”, shtoi ai.

Sipas Metës, “23 qershori është beteja midis së ardhmes dhe së shkuarës, stanjacionit politik dhe ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit” “Më 23 qershor është privilegj të vendosim gurin për ndërtimin e një republike të re kushtetuese, demokratike dhe evropiane për të lënë pas një regjim të ndryshkur”, shtoi ai.

Një nga arsyet që LSI beson tek vota e Fierakëve, sic shtoi Meta është se ata do dinë ta mbrojnë atë, do bëjnë rezistencë.
“T’i kundërvihemi presioneve ndaj votës së lirë, rezistenca e parë ndaj prekjes së votës është bërë nga gratë dhe populli i Libofshës, Berisha nuk ka shanse të vërë dorë mbi votën tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj, të ngrihemi mbi talljen e tij, të vrapojmë sot drejt një të ardhmeje të sigurt, drejt zhvillimit që kërkon koha, për të trokitur të sigurt drejt BE. Ka diell për të gjithë shqiptarët, dielli që do lindë më 24 qershor do t’ju takojë të gjithëve”, tha ai.

Fjalën e tij kreu i LSI-së e mbylli me shprehjen “Fitorja është e jona, por edhe e gjithë shqiptarëve”.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Kreu i LSI kryeministër? Meta: Objektiv, fitorja. Të tjerat dëshira personale

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›