E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, Shkolla 9-vjeçare rrezikon shembjen

230 nxënësit e shkollës 9-vjeçare, “Riza Braka”, në rrethin e Fierit mësojnë me frikën e shembjes së tarracës së godinës dy katëshe. Ndërtuar që prej vitit 1982, në këtë shkollë nuk është parë asnjë investim edhe pse gjendja e saj paraqitet e mjerueshme. 

FIER- Shkolla 9-vjeçare “Riza Braka”, në komunën Frakull të rrethit të Fierit, çdo ditë po rrezikon jetën e 230 nxënësve. Është një shkollë 2 katëshe e ndërtuar që prej vitit 1982 që nuk ka njohur asnjë investim. Në këto kushte atje gjithçka është e shkatërruar. Nxënësit që zhvillojnë mësimin në këtë shkollë vijnë nga tre fshatra dhe çdo ditë përballen me rrezikun që i kanoset nga shembja e tarracës së shkollës. Klasat pa dritare, bankat e shkatërruara janë treguesit më të mirë për kushtet e vështira në të cilët përballen nxënësit e kësaj shkolle.

Për shkollën 9 vjeçare “Riza Braka” Drejtori i Arsimit Rajonal në Fier shprehet se ka projekte konkrete, të cilat shumë shpejt do të gjejnë zbatim. Ndërkohë banorët thonë se ka kohë që u është premtuar për rikonstruksionin e kësaj godine, por asgjë nuk është bërë deri më tani. Gjithsesi rreziku është evident, çka kërkon një ndërhyrje urgjente. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›