Fier, atentat djalit të Mile Çamit, qëllohet me 2 plumba
FIER/ MAJLINDA RAMA
Atentat djalit 20-vjeçar të Fatmir Eminit, i njohur si "Mile Çami". Një person i maskuar, i hipur në një motor tip "Yamaha" i është afruar të riut mbrëmjen e djeshme, duke e lënë të plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:45, sapo Ilir Emini po mbyllte lavazhon që e kishte në pronësi, bashkë me një të afërmin e tij, i cili po ndizte makinën në ato momente. Sipas policisë, i riu ndodhej shumë pranë banesës së tij, në lagjen "29 Nëntori" të qytetit të Fierit. Aty pranë është afruar një person me skafandër në kokë, mbi një motor. Dy djemtë nuk i kanë kushtuar vëmendje, por papritur autori ndërsa i jepte motorit, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të 20-vjeçarit Emini dy herë. Plumbat e dalë nga pistoleta e kanë zënë një në parakrahun e djathtë dhe një në pulpën e këmbës së djathtë. Më pas atentatori është larguar nga vendi i ngjarjes mes rrugicave të pallateve. Familjari që ndodhej me Ilirin e ka marrë e me urgjencë e ka dërguar në spitalin rajonal të Fierit. Aty ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje, duke marrë në pyetje të plagosurin. Autori ka mbetur ende i paidentifikuar, ndonëse janë ngritur postblloqe të shumta për kapjen e tij. Sipas burimeve të policisë do të merret dëshmia e plotë e të lënduarit për të mësuar mbi shkaqet që çuan atentatorin për t'i rrezikuar jetën Ilir Eminit. Dy pista janë ngritur menjëherë: ajo e ndonjë konflikti të vetë të riut ose në shenjë hakmarrjeje për të atin. Fatmir Emini, i njohur me pseudonimin "Mile Çami", aktualisht ndodhet në burg, i akuzuar për vrasje. Ai është akuzuar nga hetuesit e krimeve të rënda të ndodhura para dhe pas vitit 1997 si pjesë e bandës rivalizuese të të fortit të Beratit, Lul Caka. Një histori që nisi me vrasjen e kushëririt të Cakës, Bujar Suli, Loshit të Karbunarës dhe përfundoi me një krim makabër, rrëmbimin e më pas ekzekutimin të nënës së Cakës. Gruaja sapo kishte vizituar në qeli të birin, në vitin 1999, kur u rrëmbye nga persona të panjohur. Vetë Lul Caka denoncoi se Emini ishte autori i krimit. Aktualisht, si Caka dhe Emini ndodhen në qeli, të akuzuar për vepra të rënda penale të vrasjes. Nisur nga ngjarjet e ndodhura vite më parë, policia po heton dhe për atentatin e mbrëmshëm ndaj 20-vjeçarit Ilir Emini.