E Diel, 1 Nëntor 2026

Dash Koka në pranga nga Italia, trafikoi moldave nga Shqipëria

 

TIRANE-Interpoli ka sjellë dje në pranga nga Italia, një 33-vjeçar të dënuar në mungesë me 7 vjet burg, për shfrytëzim prostitucioni. Dashamir Koka, 33 vjeç, nga Durrësi, u ekstradua dje në orën 11:00, nga Interpol-Tirana nga Roma e Italisë. Ai ka zbritur në Rinas i shoqëruar nga oficerët e Interpolit dhe i është dorëzuar Drejtorisë së Burgjeve. Mësohet se Gjykata e Durrësit, më 13 korrik 2006, e ka dënuar 33-vjeçarin Dashamir Koka, me 7 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bënë të ditur se nga hetimet e kryera dhe shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar akuza e trafikut të prostitucionit. Dashamir Koka, gjatë periudhës kohore maj të vitit 2000, deri në muajin shkurt të vitit 2003, pasi ka blerë shtetasen moldave A.D., nga shtetas të tjerë shqiptarë, të cilët e kishin sjellë në Shqipëri nga Moldavia, e ka trafikuar dhe shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në territorin italian. Të njëjtat burime sqaruan se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Romën, më datën 1 tetor 2008, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i të riut durrsak, Dashamir Koka, i cili tashmë do të vuajë dënimin e dhënë në mungesë nga Gjykata e Durrësit.                                                           e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›