Fier, autoritetet shëndetësore japin alarmin: Mos pini ujin e çezmës
Inspektorati i Higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier paralajmëron komunitetin e rrethinave të qytetit të mos pijnë ujin që shkon në çezmat e tyre. Ky paralajmërim vjen pas analizave që janë kryer në pika të ndryshme të rrjetit të furnizimit, nga ku ka dalë se në shumë vende uji është me përmbajtje të lartë bakteriologjike.
Drejtoria e Shëndetit Publik dhe e Higjienës në Fier kërkon nga banorët e qytetit të Fierit, por edhe të zonave përreth, mospërdorimin e ujit të disa vendburimeve, si ai i Vajkanit, Mbyetit dhe Levanit. Sipas specialistëve të Shëndetit në Inspektoratin e Higjienës, uji i këtyre vendburimeve nuk është i klorinuar dhe ka nivel të lartë ndotës bakterial. Madje, prania e këtij të fundit shihet si rrezik për përhapjen e ndonjë epidemie të rëndë. Jo vetëm kaq, por për tre vendburimet është konstatuar se ka përzierje me kanalizimet e ujërave të zeza.
“Ne kemi kryer analiza të vazhdueshme dhe vendburimi i Mbyetit del i papijshëm. Uji i këtij vendburimi del me ngarkesë mikrobike. Në Mbyet bëhet fjalë për ujë sipërfaqësor, që kalon mbi varreza. Aty ka edhe shtëpi banimi dhe ekziston rreziku që të derdhen në këtë vendburim edhe ujërat e zeza të zonës. Edhe uji i zonës së Vajkanit nuk është cilësor. Edhe aty uji është me dalje mbi sipërfaqen e burimit dhe për pasojë bashkohet me ujërat e zeza. Toka pranë vendburimit nuk ka gjetur stabilitet dhe kjo e ka ndotur burimin”, është shprehur përgjegjësi i Inspektoratit të Higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, Nuredin Kallashi.
Kallashi këshillon komunitetin që të mos e konsumojë ujin e vendburimeve të sipërcituara që duhet thënë se furnizojnë një komunitet me mbi 24 mijë banorë.
Probleme të shumta me cilësinë e ujit të pijshëm janë ndeshur edhe në zona të tjera. Në disa komuna kontrollet kanë treguar se klori nuk është hedhur në parametrat e kërkuar, duke e kthyer në të pakonsumueshëm ujin. “Ka pasur mungesa të theksuara të klorit nga komunat. Këto kanë ardhur nga mospasja e klorit nga komuna. Me normalizimin e blerjes së klorit, gjithçka është zgjidhur”, ka thënë më tej specialisti Nuredin Kallashi.
Kujtojmë se për shkak të ndotjes së ujit, në Ballsh dhe rrethinat e tij plasi muajin e shkuar një epidemi.
#