E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasat, ndëshkohen 100 subjekte private

Fier

Rreth 100 subjekte të biznesit të madh janë ndëshkuar me gjoba për periudhën maj-qershor të këtij viti. Objekt i ndëshkimit të këtij numri të lartë biznesesh është bërë mospajisja e tyre me kasa fiskale. Këto të fundit mungojnë në distributorët e përcaktuar për shitje, dhe përballë mungesës së tyre dhe prerjes së gjobave bizneset e ndëshkuara kanë reaguar, duke kërkuar ndërhyrjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, si dhe të ministrisë përkatëse. Masa e gjobave të prera varion nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë. “Nga kontrollet e ushtruara nga ana e Drejtorisë Rajonale Tatimore të Fierit janë prerë mbi 97 gjoba. Kontrollet kanë prekur subjektet e biznesit të madh në periudhën maj-qershor. Janë kryesisht pikat e karburanteve ato që janë bërë objekt ndëshkimi me gjobë e që rrezikojnë të marrin ndëshkim edhe më të rëndë”, është shprehur shefi i Shërbimit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Fier, Evis Hoxhaj. Bizneset kanë kërkuar shtyrje të afateve dhe mospenalizim deri në kohën kur pranë distributorëve të Fierit do të rinisë shitja e kasave fiskale. Kujtojmë se bizneset e mëdha e kanë pasur afatin përfundimtar të pajisjes me kasa më 31 dhjetorin e shkuar, ndërkohë që bizneset e vogla e kanë më 31 qershor.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›