E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, burokracitë e bashkisë mbajnë pezull privatizimin e 100 banesave të Albpetrolit

Prej 1 viti janë privatizuar 97 banesa, nga 200 të tilla në total
Privatizimi i banesave të ndërtuara nga kompania Albpetrol gjatë viteve 1993-1996, ka përfunduar vetëm për thuajse gjysmën e tyre. Procesi i privatizimit ka përfunduar vetëm për 97 prej banesave nga 200 të tilla. Këto apartamente kanë qenë banesa, të cilat kompania Albetrol në Fier i ndau me autorizim të veçantë për të gjithë punonjësit që jepnin kontribut në kompanitë e naftës. Por më shumë se prej 1 viti banorët po sorollaten, pasi procesi i privatizimit ka zgjatur në kohë. Aktualisht kanë fituar të drejtën të bëhen pronarë të ligjshëm pas gjithë atyre orvatjeve këto vite, vetëm 97 familje. Ka më shumë se 1 vit që ka nisur procesi i privatizimit për 200 apartamentet në qytetin e Fierit, të cilat ende nuk kanë përfunduar procedurat nga Bashkia Fier. Deri tani është pritur përfundimi i punës për këtë procedurë nga Bashkia Fier. Nga kjo e fundit, privatizimi i banesave të naftës quhet proces i vonuar për shkak të procedurave të shumta që duhet të ndiqen. "Procesi i privatizimit të këtyre apartamenteve për ne konsiderohet i vonuar, por kjo për arsye të procedurave që kërkohen në këtë rast për kalimin në pronësi fillimisht të bashkisë dhe më pas tek qytetarët, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre janë emigrantë dhe interesimi ka qenë i ulët nga ana e tyre për kryerjen e procedurave. Këto apartamente kanë qenë banesa të ndërtuara nga kompania albpetrol ne Fier në vitet 1993-1996 dhe për shkak të procedurave ligjore, të cilat kanë qenë të pezulluara, nuk kanë përfunduar". Juristi i bashkisë, Luan Cala ka deklaruar për mediat se në Bashkinë e Fierit kanë mbërritur në total gjithsej 200 kërkesa për privatizim apartamentesh. "Dua të bëj me dije se deri tani në Bashkinë Fier janë paraqitur 200 kërkesa për privatizimin e këtyre apartamenteve dhe struktura e posaçme për bashkitë që u ngrit për këtë qëllim deri tani ka realizuar privatizimin e 97 procedurave dhe është në punë e sipër dhe me 23 procedura të tjera", ka pohuar Cala
Ligji për privatizimin
Edhe pse ka më shumë se 13 vjet që janë ndarë këto apartamente, vetëm në vitin 2007 doli ligji, i cili u jepte mundësi pronarëve që të aplikonin për ta bërë pronë të vetën. Procedurat për privatizim kaluan nga Enti i Banesave tek Bashkia Fier, për ti dhënë fund odisesë së gjatë të procesit të privatizimit për këta banorë. E ndërsa gjithçka dukej se do të merrte fund duke bërë që familjet përfituese të ishin ligjërisht pronare, procesi po zgajt për ditë e ditë të tëra, duke u kthyer në një makth për banorët. Një tjetër faktor që ndikon direkët në zvarritje është jo vetëm mungesa e dokumentacionit përkatës për këta banorë, por sepse një pjesë e mirë e tyre janë larguar në emigracion, ndërsa shumë të tjerë i kanë lënë me qira. "Emigrantët kanë një arsye më pak për t'u interesuar pranë bashkisë apo pranë entit të banesave, pasi nuk është se "vret" shumë këpuca, le të themi. Një pjesë madje na ka adresuar qiraxhinjtë për të kryera veprimet me pushtetin vendor, por kjo është absolutisht e palejueshme dhe ne do të donim që ky privatizim të kishte një fund prandaj na intereson që banorët të sjellin dokumente që u kërkohen nga ne dhe në të njëjtën kohë duam vëmendjen e emigrantëve". Në fakt shumë banorë kanë deklaruar se janë burokracitë e shumta ato që i vërdallosin nëpër dyert e institucioneve ndërsa shprehen se do të ishte me mirë që privatizimi të bëhej nëpërmjet vetë Albpetrolit.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›