E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Boshti i Jugut pjesë e qeverisë për 2009

Kryeministri: Ndryshimi i Ramës mashtrim dhe sharje
Boshti Qendror i Jugut, që afron jugun me Tiranën, do të jetë projekti më i madh i qeverisë në mandatin e dytë të saj. Ky ka qenë premtimi që kryeministri Berisha ka dhënë nga qyteti i Beratit në vijim të turit të përurimeve të disa veprave publike në këtë rreth. Gjatë vizitës së tij në këtë qytet, kryeministri Berisha i shoqëruar edhe nga disa ministra të qeverisë së tij, ka inauguruar përfundimin e urës së re të Gorricës. Berati po ndryshon, por theksojë se ndryshimin më të madh ky rreth do ta ketë me ndërtimin e Boshtit Qendror të Jugut. Jam këtu sot për t`ju dhënë fjalën se Boshti Qendror i Jugut do të fillojë ndërtimin që këtë vit dhe se ky do të jetë projekti më madhor i mandatit të dytë të qeverisë sime, është shprehur kreu i qeverisë. Boshti Qendror i Jugut, ka thënë Berisha, do ta shndërrojë Beratin në një nga epiqendrat më të fuqishme të zhvillimit të vendit, ai do të afrojë Beratin me Tepelenën, Sarandën e Gjirokastrën. Berisha ka theksuar edhe një herë nga qyteti i Beratit se premtimet e tij janë realizuar,jo vetëm në Berat e komunat e tij, por në të gjithë Shqipërinë. Po gjatë këtij takimi, kryeministri nuk ka lënë pas edhe kritikat për kryetarin e PS, Edi. Javët e fundit kryetari i Partisë Socialiste ka vendosur prapa shpinës së tij fjalën ndryshim. Ai e ka konceptuar ndryshimin si mashtrim dhe sharje. Nga këtu dua t`i them se ndryshimi i tij ka fatin e brymës në gjethen e një peme që e shkrijnë rrezet e para të diellit. Dhe ndryshimi i ynë do ta shkrijnë që në orët e para të mëngjesit ndryshimin e tij dhe do ta nxjerrë zotin Rama ashtu siç del ai vetë, është shprehur Berisha. Ndërsa ka inauguruar rrugën e komunës Poshnje që do ti vijë në ndihmë banorëve kryeministri deklaroi se rrugë të tilla në të gjithë Shqipërinë, janë në prioritetet e qeverisë. Ai ka prerë shiritin e inaugurimit të përfundimit të një rruge rurale në këtë komunë vlefta e të cilës, i kalon të 10 milion lekëve. Gjatë prerjes së shiritit të inaugurimit të kësaj rruge Berisha është shprehur se, Komuna e Poshnjes, ashtu sikurse të gjitha komunat e Shqipërisë, janë në qendër të vëmendjes së qeverisë. Berisha është shprehur se përveç përfundimit të kësaj rruge, në komunën e Poshnjes, qeveria po investon në segmentin Poshnje-Ura e Kuçit, Poshnje-Urë Vajgurore, për ujësjellës dhe shkollën, ndërkohë që në komunat përreth Poshnjes qeveria po investon 80 milion lekë për rrugën e komunës Cukalat, 50 milion lekë për shkollën e re në Urën-Vajgurore,33 milion lekë për rrugën e fshatit Kutalli etj. Pak muaj më parë, është shprehur Berisha, ne festuam shpalljen e Beratit si trashëgimi kulturore botërore, dhe kjo tregon edhe një herë interesimin e qeverisë për këtë qytet,i cili po ndryshon nga dita në ditë. Berisha ka premtuar se po gjatë këtij viti do të nisë ndërtimi i rrugës së Bogovës dhe rrugës së Kanioneve të Çorovodës, të cilat janë rrugë të një rëndësie turistike jo vetëm për Beratin, por për të gjithë Shqipërinë. Berisha është shprehur se në 3 Prill, Berati së bashku me Shqipërinë, me dinjitet të madh do të bëhet anëtar i NATO, duke realizuar kështu njërin prej projekteve më të mëdha në historinë tonë kombëtare. Projekti i Ullirit në fokusin e qeverisë e bën Beratin epiqendrën e zhvillimit të këtij produkti të begatë për Shqipërinë.

Email This Klikime: 15

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›