E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, këshilltarët bashkiakë të PBDNJ, kundër buxhetit 2009

Këshilltarët e PBDNJ në Komunën e Dropullit të Sipërm, kundërshtojnë buxhetin e këtij viti, duke dalë hapur kundër forcës së tyre politike që i ka zgjedhur ata si përfaqësues në legjislativin vendor. Duke qenë shumica në Këshillin Komunal të Dropullit të Sipërm, këshilltarët kanë kundërshtuar për herë të dytë në mbledhjen e djeshme miratimin e buxhetit për këtë vit duke e quajtur atë si të papranueshëm. Në mbledhjen e parë të 30 janarit u shfaqën sinjalet e para të kundërshtisë ndaj këtij buxheti nga ana e përfaqësuesve të PBDNJ, duke dalë haptazi kundër kreut të komunës, Kostandin Kosta, i cili i përket partisë së tyre. Në mbledhjen e djeshme të tetë këshilltarët e PBDNJ në këshillin 15 vendesh, janë larguar të indinjuar nga mbledhja, pasi sipas tyre, në buxhet nuk janë marrë në konsideratë problemet më emergjente siç janë furnizimi me ujë të pijshëm i disa fshatrave të zonës si dhe infrastruktura rrugore. Sipas anëtarëve të PBDNJ në këtë këshill, buxheti po i kushton më tepër rëndësi problemeve jo akute dhe kjo është më tepër se luks. Veç kësaj, nuk janë pyetur kryepleqtë e fshatrave për problemet që ndeshen dhe nuk janë konsultuar më parë zërat e buxhetit në komisionin e ekonomisë, financës dhe punëve publike të Këshillit Komunal. Vetë këshilltarët e PBDNJ kanë shprehur qëndrim kritik edhe ndaj kreut të Këshillit Komunal, Dhimitër Qiqi, duke kërkuar heqjen e tij. Në tentativën e dytë për miratimin e buxhetit, në mbledhje ka qenë edhe prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, i cili ka kërkuar nga këshilltarët e partisë së tij të miratojnë buxhetin si një xhest politik, por kjo kërkesë është refuzuar nga ana e këshilltarëve, të cilët kanë kërkuar edhe një herë korrigjimin e buxhetit, pasi edhe në votimin përfundimtar ata do ta rrëzojnë sërish duke proklamuar zgjedhje për kuvendin e ri. Është hera e parë që konstatohet një konflikt i tillë mes të zgjedhurve të PBDNJ në krye të qeverisjes vendore dhe këshilltarëve të kësaj force politike në zonën e minoritetit. Mendohet se kundërshtimi i buxhetit ka ardhur sepse për këshilltarët e PBDNJ, ai u shërben një klani të caktuar njerëzish të kryetarit të komunës dhe atyre që e mbështesin atë. Këshilli Komunal i Dropullit të Sipërm përbëhet nga 15 këshilltarë, tetë prej të cilëve i përkasin PBDNJ, katër PS dhe nga një këshilltar PD, PDK dhe PSD.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›