E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Forcat e armatosura, pjesë e bashkëpunimit për anëtarësimin në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa gjatë inspektimit në Brigadën e Stërvitjes Bazë në Bunavi, të Vlorës ka vlerësuar kontributin që kanë dhënë Forcat e Armatosura për anëtarësimin në NATO. Pak javë na ndajnë nga anëtarësimi me të drejta të plota në NATO, është shprehur më tej Oketa. Forcat tona të Armatosura, pa më të voglin dyshim, kanë kontributin e tyre në këtë proces. Ministri i Mbrojtjes, Oketa dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral brigade Maksim Malaj kanë pasur takim me drejtuesit e kësaj brigade, dhe kanë ndjekur nga afër jetën e trupave, si dhe aktivitetet kryesore të ushtarëve të rinj të rekrutuar në këtë njësi në fillim të muajit janar të këtij viti. Gjithashtu, ata kanë ndjekur më nga afër një orë stërvitjeje që një kompani ushtarësh të rinjsh zhvillonin në poligonin e qitjes dhe u interesuan për përgatitjen dhe arritjet e shënuara deri tani nga trupa e rekrutëve. Gjatë këtij inspektimi, ata kanë ndaluar në ambientet e këtij institucioni të rëndësishëm të FA, duke u njohur nga afër me kushtet për jetesë, stërvitje dhe shlodhje të rekrutëve të rinj dhe vizituan qendrën shëndetësore të Brigadës, ku u takua dhe biseduan me ushtarët që kuroheshin aty. Sipas tij, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka lëshuar një urdhër dhe ka nisur këtu një ekip mjekësor të Spitalit Ushtarak, ku të gjithë rekrutët i janë nënshtruar një kontrolli të plotë mjekësor. Duke folur për përmirësimin e kushteve të stërvitjes dhe jetesës, ministri i mbrojtjes ka shtuar se, bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm erdhëm këtu, për të parë nga afër kushtet e stërvitjes dhe jetesës në këtë qendër, dhe konstatuam se rekrutët e rinj janë ambientuar mjaft mirë. Ata kanë gjetur një realitet krejt ndryshe nga ajo çka ata vetë kishin imagjinuar, ka theksuar ndër të tjera ministri Oketa. Pas përfundimit të inspektimit në Bunavi, ministri Oketa dhe gjeneral Malaj vijuan  inspektimin në Batalionin e 3-të të Këmbësorisë në Poshnjë në Berat, strukturë në vartësi të Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Pasi u takuan me ushtarët, nënoficerët dhe oficerët, ata ndoqën nga afër aktivitetet e tyre ushtarake, si dhe u interesuan për zgjidhjen e problemeve që hasin në procesin e zbatimit të detyrave.   

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›