Fier, cdo ditë ndërpriten dy shtatzëni

Sipas shefit të Shtëpisë së Lindjes, Besnik Ibrahimaj, që nga vitet ’90, abortet janë kthyer në një fenomen shumë të përhapur.
“Numri i grave dhe vajzave që kryenin abort ishte tepër i madh para viteve 2000 dhe nuk kryheshin vetëm për shkaqe shëndetësore, por edhe për shkaqe ekonomike, opinion etj. Në këtë nëntëmujor të vitit 2008, numri i aborteve në Rrethin e Fierit është 560”, thotë shefi i Shtëpisë së Lindjes, Besnik Ibrahimaj.
Shifra e aborteve e regjistruara për nëntë muajt e parë të vitit tregon se afro dy nëna në ditë vënë në rrezik jetën për të ndërprerë shtatzëninë.
Mësohet se nga 560 aborte, që janë regjistruar për periudhën e deritanishme, 400 u përkasin grave nga zonat rurale dhe afro 67 për qind e tyre janë kryer me kërkesë të vetë grave shtatzëna për shkak të problemeve shëndetësore.
Mjeku Besnik Ibrahimaj thotë se, po të krahasojmë këtë shifër me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i aborteve është në ulje.
Këtë vit për këtë periudhë janë regjistruar rreth 130 aborte më pak. Totalisht për të gjithë vitit 2007 janë regjistruar 800 raste abortesh të ndara sipas grupeve spontane, për shkaqe shëndetësore, ndërprerje shtatzënie etj., pra numri i aborteve deri tani është 130 më pak, edhe pse ende ka një shifër shumë të lartë.
Gjatë këtij viti, përveç aborteve spontane, një pjesë e madhe e aborteve kanë qenë edhe të detyruara nga rrethana shoqërore, si shtatzëni para martese, apo nga lidhje jashtëmartesore.