E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama lan borxhet e Theodhori Sollakut

Prokuroria ka mbetur e pakënaqur nga buxheti shtesë i qeverisë, i cili i akordoi organit të akuzës 150 milionë lekë të vjetra.

Paratë e marra nga arkat e qeverisë janë shpenzuar për të larë borxhet e organit të akuzës të akumuluara ndër vite.

Burime nga akuza thanë se shuma e arkëtuar, në vend që të shkonte për të ndihmuar punën hetimore në dosje të rëndësishme, ka shërbyer për të shlyer detyrimet ndaj ekspertëve kontabël, të cilët kanë ndihmuar prokurorinë në disa dosje penale.

Burime nga prokuroria thanë se detyrimet janë “peshqesh” i “erës Sollaku” dhe është dashur një “ndihmë” e qeverisë për të larë sadopak borxhin që akuza u detyrohej subjekteve apo individëve civilë.

“Paratë e marra nga taksapaguesit shqiptarë, nëpërmjet buxhetit të shtetit, kanë shërbyer për të paguar disa ekspertë të kontaktuar nga hetuesit apo prokurorët për disa dosje gjatë periudhës 2004-2006”, thanë burimet nga akuza.  

Ekspertët e dosjeve

Burimet nga akuza qendrore thanë se paratë e marra nga qeveria janë ndarë me “pikatore”.

Krahas pagesës së detyrimeve të prapambetura, një pjesë e vogël e parave të buxhetit të shtetit është përdorur për të paguar disa ekspertë që e kanë ndihmuar prokurorinë në disa dosje të rëndësishme.

Burimet nga akuza thanë se janë paguar dy ekspertët kontabël që kanë vlerësuar rrugën Durrës-Kukës, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana.

Ndërsa pritet që edhe ekspertët që vlerësojnë dëmet në Gërdec të paguhen nga organi i akuzës. “Kemi mjaft shpenzime dhe vendimi i qeverisë për të na caktuar këtë shumë është qesharak.

Paratë nuk dalin as për pagesat minimale”, thanë burimet, të cilat as nuk mund të krahasohen me homologët e tyre në rajon, që marrin disa herë më shumë para nga buxheti.

“Flitet për të luftuar korrupsionin. Por prokuroria nuk ka mjetet më elementare të nevojshme për këtë fenomen. Nevojiten pajisje që kushtojnë shumë”, shtojnë zyrtarët e akuzës qendrore.  

Në ligjin e ri, më shumë para

Prokurorët kërkojnë që Ministria e Drejtësisë dhe qeveria të përmbushin rekomandimet e organizmave evropianë për garantimin e një buxheti të mjaftueshëm dhe të pavarur, për institucionin e akuzës.

Shoqata Kombëtare e Prokurorëve ka bërë publike qëndrimet e saj rreth draftit të Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar që me ligj organit të akuzës t’i garantohet buxhet i mjaftueshëm.

“Nëse kërkohet të luftohet kriminaliteti dhe korrupsioni, me prokurorinë nuk duhet të ndodhë që buxheti i saj të ulet nga viti në vit, siç ka ndodhur aktualisht.

Buxheti i Prokurorisë për vitin 2008 është rreth 30 për qind më i ulët se ai i vitit 2007”, thanë prokurorët. Sipas tyre, është e nevojshme të përcaktohet me ligj se të paktën buxheti i Prokurorisë nuk duhet të pësojë rënie në një vit të caktuar në krahasim me vitin paraardhës.

Gjithashtu prokurorët thonë se buxheti i institucionit duhet të jetë tërësisht i administrueshëm nga Prokuroria, në mënyrë që të krijohen më shumë mundësi për pavarësinë financiare të këtij institucioni.

Aktualisht buxheti i Prokurorisë përcaktohet nga qeveria në bazë të projektit që paraqet organi i akuzës. Shpeshherë “lojërat” me buxhetin janë konsideruar edhe si presione që ekzekutivi ia ka adresuar organit të akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›