Fier, dështon tenderi për qendrën e qytetit
FIER/ MAJLINDA RAMA
Dështon tenderi më i rëndësishëm në zhvillimin e qendrës së qytetit të Fierit. Mungesa e firmave të interesuara konkurruese ka qenë shkaku, duke shënuar dhe shtyrjen e dytë brenda një kohe të shkurtër. Megjithëse i cilësuar si një ndër tenderët më të rëndësishëm të Bashkisë Fier, ai për zhvillimin urban të qytetit, dështimi e ka shoqëruar edhe këtë radhë. Ky tender ka dështuar për herë të dytë brenda pak muajve, duke shënuar kështu bllokim të dhënies së mëtejshme të shesheve dhe lejeve të ndërtimit. Bëhet fjalë për një zonë prej 80 ha, e përcaktuar për t’u bërë qendër biznesi dhe një sërë lokalesh dhe njësish shitjeje, ku mjaft firma dhe investitorë janë mjaft të interesuar për të ndërtuar. Tenderi është anuluar pasi nuk është siguruar pjesëmarrja e nevojshme e firmave konkurruese, që parashikohet në ligjin e prokurimeve publike. Në këtë tender ka munguar pjesëmarrja e studiove të projektimit, duke lënë të hapur sërish një tjetër datë të zhvillimit të tenderit. Duke qenë se në një tender kërkohet të paktën një pjesëmarrje prej 3 firmash që të bëhet e mundur edhe shpallja e fituesit, sipas paraqitjes së ofertave ka ndodhur e kundërta. Sipas burimeve të brendshme të Bashkisë Fier edhe një firmë nga Tirana, e cila ishte prej kohësh e interesuar, nuk është paraqitur fare. Vlera monetare për studiot e projektimit ka shkuar në 10 milionë lekë, gjë që mendohet se ka sjellë edhe rënien e interesit nga të interesuarit, por përballë këtij fakti reagon Drejtoria e Prokurimeve Publike. Kjo e fundit hedh poshtë këtë motiv, ndërsa drejtuesit e saj janë shprehur se dështimi është si shkak i mospjesëmarrjes së firmave, pasi dhe numri i tyre është tepër i ulët në vendin tonë. Burime nga Drejtoria e Prokurimeve Publike nuk e pranojnë faktin se bëhet fjalë për një zhgënjim, ashtu sikurse thuhet, përkundrazi kjo vlerë e vënë në dispozicion është e mjaftueshme për një ndërmarrje të tillë. “Ne si vend kemi potenciale të munguara përsa u përket këtyre studiove që merren me të tilla projektime. Pra, me pak fjalë do të pritet një tjetër fazë, që edhe firmat të kenë më tepër kohë për t’u marrë me dokumentacionin dhe ta paraqesin atë në kohë për shqyrtim. Ne nuk i themi stop askujt që do të plotësojë kriteret e nevojshme për këtë vepër të qytetit të Fierit. Nuk është e udhës që të abuzojmë me fjalën dështim, sepse nuk duam që të na përsëritet e njëjta histori si me dështimin e tenderit për lumin Gjanica. Kuptohet që kjo është një arenë ku vlerat mbizotërojnë dhe tregojnë cilësinë deri në detaje të njërës apo tjetrës firmë”, shprehet Nikollaq Memo, inspektor në këtë drejtori. Tenderi në fjalë parashikon studimin urbanistik të qendrës së qytetit të Fierit, për të tashmen dhe në perspektivë. Deri tani qytetet kryesore të vendit janë në fazën përfundimtare të firmës fituese, ose e kanë zgjedhur atë duke pritur nisjen e zbatimit në terren të projektit.