E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërpriten pensionet, revoltohen ish-minatorët

 

DIBER - Abuzimi me dokumentacionet për përfitimin e pensionit çon në ndjekje penale 50 ish–minatorë, ndërsa për 200 të tjerë, sigurimet shoqërore në Dibër kanë bllokuar lëvrimin e parave. Drejtori i sigurimeve për këtë qark, Fadil Begu, u takua dje me një përfaqësi të ish-minatorëve. Debati mes palëve ishte i ashpër, pasi ata kërkuan sqarime për pensionet e tyre të bllokuara prej tetë muajsh. Ish-minatorët pohuan se lidhja e pensionit është kryer konform ligjit, pas verifikimeve të kryera nga administrata e filialeve të sigurimeve shoqërore. Por sigurimet shoqërore i kanë bllokuar ata me argumentin se dosjet e viteve të punës janë të falsifikuara nga sekserët që kanë punuar prej vitesh në rrethet Bulqizë, Dibër e Mat. Sindikata e minatorëve bëri të ditur se administrata e sigurimeve shoqërore ka verifikuar përciptas dosjet. Madje, shumë procese e profesione pune që minatorët i kanë kryer në galeritë e Martaneshit, Bulqizës e Matit, tani nuk njihen si të tilla. Ajo që ka krijuar më shumë problem është dërgimi i 50 dosjeve në sektorin e krimit ekonomik, në Drejtorinë e Policisë së Dibrës. Burime të policisë bënë të ditur se dyshohet se punonjës të sigurimeve shoqërore në filialet e rretheve të Qarkut Dibër, kanë bërë punën e sekserit në plotësimin e viteve të punës dhe dokumenteve të tjerë. Madje, dyshohet se çdo përfitues të ketë paguar deri në 1 mijë euro për përfitimin e pensionit të minatorit. Ish-minatorët e revoltuar pohuan se janë në vështirësi ekonomike. “Disa nga pensionet që u gjetën të rregullta janë lejuar nga ana jonë. Ish-minatorët mund të ankimohen në gjykata apo rrugë të tjera ligjore”, u shpreh Begu.    h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›