E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti G-20 arrin marrëveshje për krizën ekonomike

 

Liderët e vendeve të G-20 kanë arritur një marrëveshje mbi deklaratën finale, e cila do të gjejë rrugët e zgjidhjes për rivendosjen e besimit te tregjet e goditura nga kriza ekonomike. Marrëveshja e arritur është e përafërt me idetë evropiane mbi parimet që duhen ndjekur dhe parashikon mbikëqyrjen e tregut dhe transparencën e tij. Propozimi evropian parashikon që në të ardhmen asnjë treg financiar, asnjë produkt financiar dhe asnjë rajon të mos mbeten jashtë rregullave të caktuara.
Deklarata finale bën fjalë për rigjenerimin e ekonomisë, duke u referuar te politikat monetare, si dhe roli i institucioneve ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore.
Në takim u vendos që propozimet e para mbi rregullat e reja për tregjet duhet të jenë gati brenda 31 marsit të ardhshëm, duke qenë se një samit i këtij tipi do të mbahet mes kësaj date dhe 30 prillit. Presidenti Bush u shpreh pas samitit se është rënë dakord nga të gjithë liderët botërorë, për nevojën e përmirësimit të rregullave në sistemin financiar global. Ai ka theksuar se kjo duhet bërë pa dëmtuar sistemin e tregut të lirë dhe se administrata e tij ka ndërmarrë masa të rëndësishme për të përballuar krizën e kreditit. Në takimin e Uashingtonit morën pjesë udhëheqës nga vendet më të industrializuara të botës dhe të ekonomive të vendeve të mëdha që po zhvillohen dhe fuqizohen. Ky takim emergjent u mbajt me nismën e udhëheqësve të Francës dhe Britanisë. Disa analistë thonë se rëndësia e tij është minimizuar nga mungesa e Presidentit të zgjedhur Barak Obama, i cili vjen në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Udhëheqësit e 20-shes thonë se gjatë 5 muajve të ardhshëm pritet të mbahet një takim tjetër për të parë rezultatet. Qëllimi kryesor i samitit të Uashingtonit ishte të shmangej thellimi i ngadalësimit ekonomik global përmes shkurtimit të taksave dhe shtimit të buxheteve qeveritare për nxitjen e shpenzimeve nga ana e konsumatorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›