E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana ruan kreun, Vllaznia nuk i ndahet

 

Tirana falënderoi futbollistin e Lushnjës, Laert Ndoni, për tri pikët e fituara në javën e fundit të fazës së parë, pasi ishte autogoli i mbrojtësit në minutën e 13-të të takimit, që i dha 23-herë kampionëve të Shqipërisë edhe titullin simbolik të “kampionit të fazës së parë”. Një fitore 1-0 shumë e vuajtur e bardhebluve ndaj Lushnjës, që nga ana e saj mund të kishte barazuar në minutat e fundit me anë të Dorian Bubeqit, por sulmuesi 31-vjeçar kavajas, nuk arriti të shënjestrojnë mirë portën e mbrojtur nga 37-vjeçari Blendi Nallbani.
Vllaznia-Teuta 2-1
Fitore “in extremis” e Vllaznisë ndaj Teutës. Dhe kjo falë këmbënguljes së mbrojtësit të kombëtares Elvin Beqiri, i cili realizoi në minutën e 92-të, pak sekonda sesa gjyqtari Ervis Peza të mbyllte takimin e 140-të midis këtyre dy ekipeve. 32-vjeçari Safet Osja realizoi një eurogol në minutën e 31-të, përpara se talenti tiranas i Teutës, 19-vjeçari Vilfor Hysa të barazonte shifrat 40 minuta më pas, në të 70’. Kur gjithçka, po dukej se Teuta po arrinte rezultatin e gjashtë rresht pozitiv e po dilte me një pikë të çmuar nga “Loro Boriçi”, Elvin Beqiri shpiku golin e tij, duke u shndërruar në një protagonist në fitoren 2-1, që e mbajti Vllazninë, vetëm një pikë larg Tiranës kryesuese.
Partizani-Elbasani 2-2
Partizani do t’i kishte të gjitha mundësitë të realizonte fitoren e parë në shtëpi, nëse bilbili ndërkombëtar Albano Janku, do të ishte treguar profesionist në gjykimin e tij, teksa i mohoi skuadrës së kuqe një penallti krejtësisht të pastër, kur mbrojtësi i Elbasanit, Arjan Sheta, ndërhyri brutalisht ndaj sulmuesit të Partizanit, Marius Ngjela në limitin e tri minutave shtesë, në takimin e përfunduar në barazim 2-2. “Demat” ishin më impulsivë në minutat e para, por Oriand Abazaj ndëshkoi të kuqtë në minutën e 26-të, me një goditje shembullore me kokë. Korçari Marius Ngjela shfrytëzoi në maksimum gabimin e Kacolljes, duke vendosur ekuilibrat në fushë tri minuta përpara se dy ekipet të shkonin në dhomën e zhveshjes. Në pjesën e dytë, ish-sulmuesi i Skënderbeut realizoi golin e dytë për Partizanin në të 85’, pas një asisti të Karapicit. Kur dukej se Partizani do të realizonte fitoren e dytë në kampionat, në javën e fundit të fazës së parë, ashtu siç edhe kishte bërë në javën e parë të kampionatit, Julian Ahmataj me golin e tij në minutën e 90-të vulosi rezultatin 2-2.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›