E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu-Thaçi: Sulmi, akt i armiqve të Kosovës

 

Autoritetet më të larta shtetërore kosovare kanë dënuar ashpër shpërthimin në ndërtesën e ICO. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu është shprehur se: “E dënojmë në mënyrën më të ashpër të mundshme shpërthimin te ndërtesa e ICO-së dhe se autorët e krimit janë armiqtë e Kosovës”. Mes të tjerave Presidenti Sejdiu ka shprehur besimin se ngjarja e ndodhur nuk do ta zbehë respektin e fuqishëm që populli i Kosovës ka për Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi, për të qenë partnerë të besueshëm të bashkësisë ndërkombëtare. Me të njëjta tone është shprehur edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili sulmin e cilëson kundër proceseve integruese në vend. “Qeveria e Kosovës, sikurse të gjitha institucionet e vendit, i bashkëngjitet dënimit të ashpër të mundshëm për shpërthimin pranë ndërtesës së ICO-së. Unë kam kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme ndërmarrjen e masave të shpejta, konkrete për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e këtij rasti”, ka thënë në deklaratë Kryeministri Thaçi. Shpërthimi në oborrin e zyrës civile ndërkombëtare ndodhi në një periudhë tensionesh lidhur me bisedimet në vazhdim ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, lidhur me procesin e rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtarë në vend. Prishtina kundërshton një marrëveshje gjashtë pikëshe të arritur ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit, e cila parasheh një shkallë të autonomisë në fushat e policisë, drejtësisë e doganave në veriun vendit. Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se akoma është herët të flitet për motivet e shpërthimit, nëse ai ka të bëjë me procesin aktual politik. Ndërkohë ngjarja është dënuar edhe nga Bashkimi Evropian, dhe Franca, si shteti që ka dhe presidencën e radhës së BE-së, nëpërmjet një deklaratë për mediat ka theksuar gjithashtu vendosmërinë për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë.
“Kryesia e Këshillit të Evropës dënon ashpër këtë sulm. Misioni EULEX do të punojë në ndërtimin e një shteti ligjor, për të mirën e të gjithë banorëve të Kosovës”, thuhet mes të tjerash në komunikatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›