E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia shqipe mbledh shqiptarët në Amerikë

>Një grup prej autorësh të krijimtarisë së shkruar shqipe që jetojnë e punojnë në Uster të Masaçusetsit (SHBA) u mblodhën në një aktivitet të organizuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore "Kombi" në bibliotekën e këtij qyteti (Uster), ku dhe kanë prezantuar disa nga veprat e tyre në prani të rreth 70 pjesëmarrësve, bashkatdhetarëve tanë. Kryetari i shoqatës "Kombi", z. Dhimitër Dishnica në këtë aktivitet u shpreh se: "muaji janar është konceptuar si një nderim për figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe bashkë me të paraqitja e autorëve krijues në këtë takim letrar kërkon të zgjojë interesimin e bashkësisë së emigrantëve për ato vlera që kanë shqiptarët në mesin e një shoqërie shumë etnike të Usterit.Grupi i autorëve që u paraqitën në takimin letrar ishin krijues në poezi, tregime, publicistikë, përkthime dhe studime të historisë. Në disa stenda me ilustrimet përkatëse të botimeve si dhe pak njohje me jetën e autorëve rreshtoheshin emrat e Dalip Karametit, Bujar Dervishajt, Aristotel Micit, Rezarta Resos, Artur Verkajt, Skënder Kodrës dhe Rita Saliut. Çdo autor mori fjalën duke paraqitur me thjeshtësi moshën dhe përpjekjet frymëzuese për të shkruar, të cilat janë të lidhura ngushtë me jetën e emigrantit dhe janë ndjenja të forta e të qëndrueshme me vendlindjen, familjen, kulturën dhe ëndrrat për zhvillim. Poezia dhe tregimet, publicistika dhe historia janë fushat e preferuara për këtë grup që dallon me shtrirjen gjeografike të vendlindjes, nga Tirana dhe Përmeti, Durrësi e Dibra e Madhe, por dhe Kosova...Kështu nëse Dalip Karameti  dallon për tregimet e jetës së vet si një personazh që e ka ndjekur shtegtimi, internimi dhe  emigracioni për tu ndalur në Uster, po në Uster duket se kanë vite që jetojnë dhe punojnë Skënder Kodra, Bujar Dervishaj, Artur Verkaj, vargjet e të cilëve i këndojnë largësisë mes kontinenteve, vendlindjes dhe familjes, bukurisë së natyrës dhe dashurisë. Aristotel Mici, i njohur në botimet e veta shumë vjeçare, tani ka ndalur në trajtimet historike. Rita Saliu nga Kosova dallon me poezitë dhe publicistikën e saj në temat e ndjeshme të patriotizmit dhe afrimit mes shqiptarëve. Rezarta Reso, e cila vitet e fundit ka nisur të nxjerrë në treg vëllime që mbajnë autorësinë e saj, njihet përmes përkthimit të njërit prej romaneve më mbresëlënës të dhjetëvjeçarit të fundit Kujtimet e një geishe.  Secili nga autorët recitoi apo lexoi pjesë të përzgjedhura nga krijimtaria vetjake si dhe shpalosi dëshirat e projektet e së ardhmes, duke marrë njëkohësisht dhe përgëzimet e të pranishëmve në sallë. Ky takim, mundësoi një shkallë të re të lidhjes dhe të bashkëveprimit të shqiptarëve emigrantë, këtë herë në Uster përmes krijimtarisë letrare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›