E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme: Merrni kartat dhe pasaportat

inistria e Brendshme u bëri dje thirrje qytetarëve të aplikojnë për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Pasaportat aktuale do të jenë të vlefshme edhe për 17 muaj, ndërsa kartat e identitetit do të zëvendësojnë certifikatat, të cilat do të jenë të vlefshme deri në fund të këtij viti. Apelit të Ministrisë së Brendshme i është bashkuar edhe zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, i cili thekson se pasaporta biometrike dhe karta e identitetit u duhet shtetasve për të përfituar nga liberalizimi i vizave me Bashkimin Europian. Ministria e Brendshme u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që nuk kanë aplikuar deri më tani për letërnjoftimin elektronik të paraqiten pranë zyrave të aplikimit për t‘u pajisur me kartën e identitetit me pasaportën biometrike. Pajisja me kartë identiteti është e domosdoshme për çdo qytetar të përfitojë shërbimet dhe të realizojë marrëdhëniet me institucionet publike dhe ato private. Tani i vetmi dokument identifikimi do të jetë letërnjoftimi elektronik. Pajisja me pasaportë biometrike bëhet me të njëjtën procedurë dhe në të njëjtën zyrë aplikimi. "Posedimi i një pasaporte biometrike është një nga kushtet themelore të përfitimit të liberalizimit të vizave", deklaroi Klodian Branko. Fluksi i qytetarëve për të aplikuar për kartat e identitetit duket se ka rënë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku sipas autoriteteve të Ministrisë së Brendshme, letërnjoftimet elektronike, do të shërbenin si një dokument për të votuar. Por edhe pse tashmë, mendohej se do të kishte fluks si pasojë e ardhjes së emigrantëve, sportelet ku aplikohet për kartat e identitetit, si dhe për pasaportat biometrike, kanë qenë pothuajse bosh. Deri tani 25 mijë qytetarë shqiptarë janë pajisur me pasaportën biometrike dhe rreth 1.4 milionë shqiptarë kanë aplikuar për kartat e identitetit. Aplikimi për kartat do të bëhet në zyrat e posaçme pranë gjendjes civile nga e hëna deri të premten nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16.00. Ndërsa pasaportat do të tërhiqen pranë komisariateve të policisë, për shkak të sigurisë që paraqet ky dokument, kurse aplikimi do të bëhet në të njëjtat zyra ku bëhet edhe për kartat e identitetit. Gjithashtu, në momentin që do të tërheqin dokumentet do të bëhet një verifikim i shenjës së gishtit të personit që tërheq dokumentin në rast se korrespondon me atë që ka aplikuar në fillim. Në rast se kjo nuk ndodh do të thotë se kemi një mospërputhje me shenjën e gishtit ky dokument është i pavlefshëm, megjithëse është i prodhuar, por i pavlefshëm për t‘u përdorur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›