Djegia dhe rrënimi, alarm për shtëpitë monumentale në Gjirokastër
Drejtoritë: Masa për t'i shpëtuar nga degradimi. Mjete efikase për zjarrfikëset që të hyjnë në rrugicat e ngushta
GJIROKASTËR- Shkrumbimi i banesës 200-vjeçare në qytetin e gurtë një ditë më parë ka vënë në alarm, si banorët, ashtu edhe specialistët e monumenteve për rrezikun me të cilin përballen çdo ditë vlerat e patjetërsueshme. Drejtuesit e Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës dhe Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit – Muze kanë shprehur shqetësimin e madh dhe kanë kërkuar angazhimin e të gjitha strukturave për shmangien e këtyre situatave, që mund të rezultonin edhe katastrofale.
"Ky rast ngre një problem të madh për të gjitha objektet e tjera monument kulture, të cilat ndodhen pothuajse në të njëjtën gjendje me këtë që u dogj, të braktisura nga pronarët, të degraduara, një pjesë e të cilave pa çati",- thotë drejtori i Monumenteve, Spartak Drrasa. Sipas tij, duhet të bëhet i mundur parandalimi i rasteve të tilla në banesat e pabanuara apo ato që janë në rrezik shembjeje, deri sa të krijohen ato mundësi dhe kapitale, që do të sjellin restaurime të plota. Ndërsa, drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit – Muze, Rajmond Kola, e ka cilësuar ngjarjen e ndodhur si kambanë alarmi. "Rikthimi vëmendjes nga kjo kambanë alarmi është për të gjitha strukturat që përgjigjen për këtë çështje dhe duhet reagim sa më i shpejtë dhe për masa më të mira në mbrojtjen kundër zjarrit. Do t'i kërkojmë qeverisë dhe autoriteteve përkatëse që të pajisin efektivat zjarrfikës me mjete më të vogla që të mund të depërtojnë në rrugicat e ngushta me kalldrëm e më efikase për raste zjarresh në zonën muzeale, ndërsa i gjithë komuniteti duhet të sensibilizohet për të rritur kujdesin",- ka theksuar ai. Banesa 200-vjeçare, tashmë një gërmadhë prej shumë kohësh, ashtu sikurse shumë shtëpi të tjera prej kohësh ndodhen në një fazë degradimi, duke u kthyer në të pabanueshme dhe në rrezik për zonën përreth. Për këtë vit ajo ishte vendosur në listën e prioriteteve të DRMK për restaurim, por pas ngjarjes së fundit ndërhyrja do të jetë më e vështirë. Po gjatë ditës së djeshme, punonjës të repartit zjarrfikës kanë qenë sërish në vendngjarje, duke shembur muret e banesës, për të shmangur në këtë mënyrë rreziqet e mundshme për komunitetin dhe zonën