E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, këshilli i qarkut, prioritet rrugët, turizmin dhe mjedisin

Këshilli i Qarkut të Fierit ka përcaktuar si përparësi në investimet e vitit 2009 zhvillimin e turizmit, përmirësimin e rrugëve dhe mbrojtjen e mjedisit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i këtij këshilli, Luan Muçaj.

"Zbatimi i strategjisë së zhvillimit të turizmit, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe mbrojtja e sistemit ekologjik, janë fushat ku do të përqendrohen investimet këtë vit në Qarkun e Fierit", theksoi Muçaj. Sipas tij, ata kanë bërë dhe listën e segmenteve rrugore me më shumë probleme. "Tashmë jemi në fazën e përfundimit të projekteve për rikonstruksionin e tyre", tha kreu i Këshillit. Ndër pjesët më të dëmtuara, ku rikonstruksioni pritet të fillojë brenda janarit, është ajo që lidh rrugën nacionale Fier-Vlorë me qendrën e Komunës Cakran. Ky segment që shërben si nyjë lidhëse për afro 10 fshatra të kësaj zone me qytetin e Fierit dhe ku lëvizin rreth 18000 banorë, ka pothuaj 10 vjet pa investime dhe është pothuaj i pakalueshëm.

"Rregullimi i kësaj rruge dhe i disa segmenteve të tjera që janë përfshirë në listën e përparësive të vitit 2009 do të financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Një tjetër fushë ku ky fond dhe donatorë të tjerë kanë shfaqur interes dhe mund të financojnë është mjedisi dhe turizmi", përfundoi Muçaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›