Fier, nis rikonstruksioni i QKF-së
Bashkia Fier ka nisur punimet për rikonstruksionin e godinës së Qendrës Kulturore të Fëmijëve Lambi Bego. Me një fond prej 32 milionë lekësh, Bashkia Fier ka nisur në këtë mënyrë udhën për ti ndryshuar pamjen godinës së shkatërruar për më shumë se 20 vjetësh. Inaugurimi i punimeve është zhvilluar nën një ceremoni në ambientet e kësaj qendre, ndërsa, në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë, Baftjar Zeqaj, ka theksuar se Qendra Kulturore e Fëmijëve ishte një domosdoshmëri për qytetin e Fierit dhe se brenda vitit të ardhshëm, kjo godinë do të jetë tërësisht gati.
Kemi disa vite që na ka shqetësuar amortizimi i godinës në fjalë, por, duke qenë se fondet që kërkonte ky investim ishin të mëdha, ne kemi pritur nga qeveria shqiptare. Në kushtet kur kjo e fundit na ktheu krahët, atëherë ishim të detyruar që këtë investim ta kryejmë me të ardhurat e Bashkisë është shprehur Zeqaj.
Ndërkohë, drejtoresha e kësaj Qendre, Majlinda Verria ka falënderuar Bashkinë Fier për këtë investim. Aktualisht, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Fier janë 250 fëmijë të cilët vijnë nga të gjitha shkollat e qytetit të Fierit.
K.Thana